Shkrimtarët vlerësojnë krijimtarinë letrare të Musa Ramadanit

Shkrimtarë dhe studiues të letrave shqipe kanë vlerësuar krijimtarinë letrare të Musa Ramadanit, shkrimtar, dramaturgut, eseist, etj., i cili vdiq të martën në Prishtinë.

Krijimtaria letrare e Musa Ramadanit, sipas tyre, solli një risi në trajtimin e temave dhe qasjen kritike në letërsinë shqipe. Përveç prozës, poezisë, dramës e publicistikës, ai u shqua edhe në kritikën e teatrit.

Akademik Sabri Hamiti, shkrimtar e studiues i letërsisë, gjatë fjalës së tij në akademinë përkujtimore për Ramadanit, ka thënë se kulturalisht, Musa Ramadani mund të cilësohet si autor i Rilindjes, më pastaj rrezatimi i tij si njeri e shkrimtar zgjerohet në gjithë botën letrare shqiptare.

Sipas tij, arti i letrar i Musa Ramadanit dhe talenti i tij është provuar në një kryqëzim të letërsisë me muzikën dhe artin pamor.

“Vepra e tij letrare, në tërësinë e saj, shfaq një botë individuale, që trupëzohet me një stil të tijin origjinal. Kjo duket në poezi, që me librin e parë ‘Mëkatet e Adamit’, deri në librin e mbramë ‘Mëkatet e E(ha)vës’. Në prozën romansore të tij, duke nisur nga vepra ‘Romani pa kornizë’ e deri te ‘Profeti nga Praga’, Musa Ramadani është në kërkim të formës së tij të romanit në nivelin struktural (duke hedhur kornizën) dhe në nivelin e artikulimit stilistik me një diskurs ku kryqëzohen e ballafaqohen nivelet stilistike të poezisë e të dramës”, ka thënë akademik Hamiti.

Krijuesi Reshat Sahitaj, studiues, kritik letrar, ka thënë për Kallxo.com se Musa Ramadani ishte një krijues specifik në letërsinë shqipe.

“Musa Ramadani është një krijues specifik, që jeton në botën e tij të veçantë, i rrethuar me dashurinë për Kafkën, Aleksandër Moisiun dhe Veronikën”, ka thënë ai.

Ndërsa, shkrimtari Flamuri Maloku është shprehur për Kallxo.com se me vdekjen e Musa Ramadanit, letërsia shqipe e humbi poetin dhe prozatorin më të mirë që kishte.

“Ramadani do të mbahet mend për kryeveprën e tij ‘Neurosis’. ‘Neurosis’ do t’i bashkëngjitet poezisë shqipe me shenjën personale e me figurën universale. Më saktësisht, ‘Neurosis’ është bioshkrim i shpirtit/trupit në secilën formë e trajtë të diskursit në poezinë shqipe”, ka thënë ai.

Kurse, Akademia e Shkencave she Arteve e Kosovës, përkatësisht, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë përmes një telegrami ngushëllimi potencon se i konsideruar si një nga penat më të frytshme dhe më të gjithanshme në gjeneratën e mesme të shkrimtarëve bashkëkohorë në Kosovë, Musa Ramadani ruajti deri në fund personalitetin e tij të veçantë, i sprovuar edhe në fusha të tjera të arteve, për të mbetur përjetë i përkushtuar në sakrificën e tij sublime të artistit të vërtetë.

“Shuarja e tij është një humbje e madhe për familjen, për kolegët e bashkëvepruesit, për lexuesit e tij të devotshëm dhe për letërsinë shqipe në përgjithësi. Na lejoni që me këtë rast t’ju përcjellim ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e njeriut të urtë e të ditur, artistit që do të vazhdojë të jetojë përgjithmonë me vlerat e patjetërsueshme të veprës së ti”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ASHAK-ut.