Mbahen homazhe për shkrimtarin Musa Ramadani
Vlerësime dhe nderime janë bërë sot për jetën dhe kontributin letrar të shkrimtarit, eseistit e gazetarit, Musa Ramadani, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshë 76 vjeçare.
Këto vlerësim për Ramadanin u dhanë sot gjatë akademisë përkujtimore të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, organizuar me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Ramadani.
Shkrimtari Sabri Hamiti, koleg dhe mik i të ndjerit, tha se shkrimtari Ramadani, kulturalisht mund të cilësohet si autor i Rilindjes, më pastaj rrezatimi i tij si njeri dhe shkrimtar zgjerohet në botën letrare shqiptare.
“Arti letrar dhe talenti i tij është provuar në një kryqëzim të letërsisë me muzikën dhe artet pamore. Vepra e tij letrare në tërësinë e saj shfaq një botë individuale që trupëzohet me stilin e tij origjinal”, ka thënë ndër të tjerash Hamiti.
Ndërkaq, Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës ka pohuar se Radamadani ishte krijues me stil të veçantë.
“Sot jemi bashkuar për t’ i dhënë lamtumirën e fundit një shkrimtari të madh dhe një stilisti të shkëlqyer, një shkrimtari që me frymën e tij dhe stilin e vaçantë i ka dhënë jetë e dinjitet kulturës së Kosovës”, ka thënë Dumoshi.
Në emër të familjes ka folur Arbnora Ramadani- Dragaj, e cila tha se porosia e të atit ishte se gjërat nuk humbin dhe njerëzit vetëm ndërrojnë vend.
“Qoftë ai në një vend më të bukur se ky, në mes të miqve të letrave, me Kaftkën, Xhoisin, Balzakun, etj, duke shëtitur nëpër rrugët e Pragës, Parisit, Vjenës. Letërsisë ngushëllime, humbe ndër doajenët besnik të tu”, ka thënë Arbnora Ramadani- Dragaj.
Përveç akademisë, gjatë ditës së sotme janë bërë edhe homazhe për Musa Ramadanin në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Musa Ramadani ka vdekur dje në moshë 76 vjeçar. Ai u lind në Gjilan më 1944. U shkollua në Prizren, Gjilan e Viti. Në Prizren mbaroi shkollën e Lartë Pedagogjike. Ndërsa që nga vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar punoi në gazetën “Rilindja”. Pas vetës Ramadani la një opus të gjerën letrar, si: në prozë, dramë, eseistikë, kritikë arti e tekstshkrues, etj. Ndërsa është vlerësuar me çmime për punën e tij krijuese.