Joe Biden: Pushtimi i Gazës nga Izraeli do të ishte një gabim i madh

Në një intervistë me “60 Minutes” të CBS që u transmetua të dielën, presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se do të ishte një “gabim i madh” që Izraeli ta pushtonte Gazën.

Izraeli ka sinjalizuar se po përgatitet për një pushtim tokësor të Gazës edhe pse një krizë humanitare po rritet brenda enklavës bregdetare palestineze. Biden ka bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar për t’i zbutur mungesat e ushqimit, ujit dhe gazit.

“Ajo që ndodhi në Gaza, sipas mendimit tim, është Hamasi dhe elementët ekstremë të Hamasit nuk përfaqësojnë të gjithë popullin palestinez” – i tha Biden televizionit CBS.

Biden tha se beson se Hamasi duhet të eliminohet tërësisht, “por duhet të ketë një Autoritet Palestinez”. Duhet të ketë një rrugë drejt një shteti palestinez”.

Komentet e Biden janë një nga të paktat herë që presidenti i SHBA-së i ka bërë thirrje Izraelit ta përdorë një lloj vetëpërmbajtjeje për t’iu përgjigjur sulmeve të Hamasit që lanë 1400 të vdekur.

Tutje, Biden ka thënë se është “i bindur” se Izraeli do të veprojë sipas rregullave të luftës në konfliktin e tij me Palestinën dhe shtoi se vendosja e trupave amerikane nuk është e nevojshme.

Ndërkohë zhvillimet tjera në dhe rreth luftës Izrael – Hamas, janë si në vijim:

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë po e diskutojnë mundësinë e një vizite në Izrael së shpejti nga presidenti amerikan Joe Biden me ftesë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, thotë një burim i njohur me këtë çështje për Reuters të dielën. Një vizitë e mundshme nga Biden do të pasonte vizita të ngjashme nga zyrtarë të tjerë të rangut të lartë të SHBA, duke përfshirë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin.

Blinken do të kthehet në Izrael të hënën për një raund të dytë bisedimesh me Netanyahun.

Rezervat e karburantit në të gjitha spitalet në të gjithë Rripin e Gazës pritet të zgjasin vetëm rreth 24 orë të tjera, ka thënë të hënën Zyra Humanitare e Kombeve të Bashkuara (OCHA).

“Mbyllja e gjeneratorëve rezervë do ta rrezikonte jetën e mijëra pacientëve” – thuhet në deklaratën e OCHA në faqen e saj të internetit.

Më shumë se 600,000 banorë të Gazës janë zhvendosur deri më tani në pjesën jugore të Rripit të Gazës pranë qytetit kufitar egjiptian të al-Arish, përpara një ofensive të pritshme tokësore izraelite.

Punonjësit e ndihmës ndërkombëtare në Gaza e përshkruan një situatë të paprecedentë të “kolapsit humanitar”.

SHBA-ja ka paralajmëruar se lufta midis Izraelit dhe grupit militant Hamas mund të përshkallëzohet, pasi luftanijet amerikane u nisën drejt zonës mes përleshjeve në rritje në kufirin verior të vendit me Libanin.

“Ekziston rreziku i një përshkallëzimi të këtij konflikti, hapja e një fronti të dytë në veri dhe, natyrisht, përfshirja e Iranit”, ka thënë për CBS këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi vendosjen e një grupi të dytë aeroplanmbajtës të shtunën vonë, duke e quajtur atë një shenjë të “vendosmërisë sonë për ta penguar çdo aktor shtetëror ose joshtetëror që kërkon të përshkallëzojë këtë luftë”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të pësonin “dëme të konsiderueshme” nëse lufta në Gaza kalon në një konflikt më të madh, raportoi Al Jazeera të dielën.

“Ne i kemi përcjellë mesazhin tonë regjimit sionist përmes aleatëve të tij se nëse ata nuk i pushojnë mizoritë e tyre në Gaza, Irani nuk mund të mbetet thjesht një vëzhgues,” citoi media shtetërore iraniane të ketë thënë Amir-Abdollahian për rrjetin.

Një pikë kufitare e kontrolluar nga Egjipti në Gaza pritet të rihapet mes përpjekjeve diplomatike për të dërguar ndihma në këtë enklavë.

“Rafah do të rihapet. Ne po vendosim me Kombet e Bashkuara, me Egjiptin, me Izraelin, me të tjerët, një mekanizëm me anë të të cilit të marrim ndihmën dhe t’ua dërgojmë atë njerëzve që kanë nevojë për të,” ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pas një takimi me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi të dielën. Blinken nuk dha një kohë specifike për rihapjen e vendkalimit.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres i bëri thirrje Hamasit t’i lirojë pengjet pa kushte dhe i bëri thirrje Izraelit ta lejojë qasjen e shpejtë dhe të papenguar të ndihmës humanitare në Gaza.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka thënë se ka folur në telefon me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, të dielën në lidhje me situatën në Gaza. Maduro i ka thënë Abbasit se Venezuela do të dërgojë  30 tonë ndihma humanitare në Gaza në ditët e ardhshme, raporton Reuters.

Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas ka thënë se veprimet dhe politikat e grupit islamik Hamas nuk e përfaqësojnë popullin palestinez, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve WAFA. Në një telefonatë me Maduro, “presidenti konfirmoi refuzimin e tij për vrasjen e civilëve nga të dyja palët dhe bëri thirrje për lirimin e civilëve, të burgosurve dhe të burgosurve nga të dyja palët”, shtoi agjencia e lajmeve.

Amnesty International ka verifikuar gjashtë video të një sulmi në rrugën Salah al-Din – një rrugë e supozuar “e sigurt” për palestinezët që ndjejnë Gaza – që vrau të paktën 70 njerëz. Ai vazhdoi t’i dënojë evakuimet e detyruara të Izraelit të palestinezëve nga Gaza, duke thënë se “Urdhëri i Izraelit për ‘evakuim'” NUK është në përputhje me [ligjin ndërkombëtar humanitar] dhe duhet të anulohet”.

Franca e ka paralajmëruar Iranin “kundër çdo përshkallëzimi apo zgjerimi të konfliktit” midis Izraelit dhe Hamasit, njoftoi të dielën zyra presidenciale franceze. Gjatë një telefonate midis presidentit francez, Emmanuel Macron dhe homologut të tij iranian, Ebrahim Raisi, Macron paralajmëroi kundër çdo përhapjeje të konfliktit në Liban.

Udhëheqësit nga 27 shtetet anëtare të BE-së kanë lëshuar një deklaratë duke përshkruar qëndrimin e tyre për situatën në Lindjen e Mesme. “Bashkimi Evropian dënon në termat më të ashpër të mundshëm Hamasin dhe sulmet e tij brutale dhe pa dallim terroriste në të gjithë Izraelin dhe dënon thellësisht humbjen e jetëve”, ka thënë Këshilli Evropian.

Në një telefonatë me Vatikanin, ministria e jashtme e Izraelit tha se pret që “Vatikani të jetë më i vëmendshëm ndaj vuajtjeve të izraelitëve”. Ministri i Jashtëm i Izraelit bëri thirrje gjithashtu për një dënim të qartë të Vatikanit të terrorizmit vdekjeprurës kundër izraelitëve dhe përsëriti të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten.

UNRWA, agjencia e OKB-së që i mbështet refugjatët palestinezë, ka thënë të dielën se sulmet vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza kanë çuar në një “katastrofë njerëzore të paprecedentë”, pasi numri i të vdekurve në Gaza është rritur në 2,670 dhe 9,600 të plagosur.

Mbi 1000 njerëz janë zhdukur nën rrënojat e ndërtesave në Gaza që janë shënjestruar nga sulmet ajrore vdekjeprurëse izraelite, ka thënë të dielën mbrojtja civile palestineze. Në një deklaratë, ekipi i mbrojtjes civile tha se shumë të tjerë u nxorrën të gjallë nga rrënojat, 24 orë pasi ndërtesat u sulmuan nga forcat izraelite.

Pas turneut të tij në shumë vende në rajon, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë se vendkalimi Rafah midis Egjiptit dhe Gazës do të rihapet. Blinken shtoi se SHBA po vendos mekanizma krahas OKB-së, Egjiptit dhe Izraelit për të marrë ndihmë për ata që kanë nevojë për të.

Zyrtarët shëndetësorë të Gazës kanë filluar t’i ruajnë kufomat në kamionë ngrirës akulloresh, sepse zhvendosja e tyre në spitale është shumë e rrezikshme dhe varrezave po u mbaron hapësira. Videot e postuara në internet shfaqin trupa të mbështjellë me leckë të bardhë të grumbulluar brenda kamionëve bosh./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala