Jep dorëheqjen kryeministrja franceze, Élisabeth Borne  

Kryeministrja e Francës Élisabeth Borne do të largohet nga posti i kryeministres pas më pak se dy vitesh në detyrë.

Dorëheqja e saj vjen me Presidentin Emmanuel Macron që pritet gjerësisht ta riorganizojë ekipin e tij të lartë përpara zgjedhjeve evropiane që do të zhvillohen më vonë këtë vit.

Në një deklaratë, Macron tha se zonja Borne ka treguar “guxim, përkushtim dhe vendosmëri” gjatë kohës së saj në detyrë.

Nuk dihet ende se kush do të emërohet si pasardhës i saj.

Zonja Borne do të qëndrojë në post derisa një kryeministër i ri të marrë detyrën, thuhet në një deklaratë nga Pallati Élysée.

Ajo ishte kryeministrja e dytë femër e Francës dhe me shërbimin më të gjatë, pas Édith Cresson, e cila shërbeu si kryeministre nën presidentin François Mitterrand nga 1991-92.

Raportet për një rinovim të qeverisë kanë qenë të përhapura javët e fundit, ndërkohë që Macron kërkon ta rrisë pasurinë e tij politike përpara zgjedhjeve të qershorit dhe në një vit kur Franca do të jetë në qendër të skenës kur do të jetë nikoqire e Lojërave Olimpike.

Me tri vjet të mbetura nga presidenca e tij, komentuesit kanë thënë se një riformatim është i nevojshëm për ta ringjallur shtysën politike të qeverisë së tij pas një sërë protestash mbi politikat e diskutueshme dhe humbjet legjislative.

Qeveria e saj pësoi një humbje të konsiderueshme në një pjesë kyçe të legjislacionit mbi imigracionin në dhjetor, i cili u pa gjerësisht si një moment krize.

Ligji u miratua përfundimisht pasi u bënë lëshime grupeve të opozitës së krahut të djathtë, por partia e Macron ende pritet të përballet me një sfidë të fortë në sondazhin evropian.

Largimi i zonjës Borne do të shihet si fillimi i atij ndryshimi, me disa figura kyçe në qeveri të supozuara për ta zëvendësuar atë.

Ministri 34-vjeçar i Arsimit Gabriel Attal konsiderohet si kryesuesi për këtë detyrë. Ai do të bëhej kryeministri më i ri dhe i pari homoseksual i Francës.

Ministri i Forcave të Armatosura Sebastien Lecornu – i cili në moshën 37-vjeçare do të ishte gjithashtu personi më i ri që do të mbante postin – dhe ish-ministri i Bujqësisë Julien Denormandie janë konsideruar si alternativa të mundshme.

Një njoftim për një kryeministër të ri nuk pritet deri të martën, ka thënë një zëdhënës i Pallatit Élysée për BBC.

Kryeministri i Francës pritet ta menaxhojë punën e përditshme të qeverisë dhe të kryesojë Këshillin e Ministrave.

Partia e presidentit Macron e ka humbur shumicën e saj parlamentare në vitin 2022, që do të thotë se kryeministri i ri do të përballet me një luftë të vështirë për t’i kthyer politikat e Presidentit në ligj.

Në momentin kur emërohet, kryeministri i ri do të bëhet i katërti që do të mbajë postin që kur Macron u zgjodh për herë të parë President në vitin 2017./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala