Jep dorëheqje nga Ministria e Drejtësisë ish-sekretari që u shkarkua për shkak të kontratave për lobim (DOKUMENT)

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, Kushtrim Cukaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Cukaj ia ka ofruar dorëheqjen ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Më lejoni që të ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të AAPSK-ës bazuar në Ligjin Nr.O6/L-114 Për Zyrtarët Publik, Neni 62, Paragradi (2), (4). Dhe kërkoj të lirohem nga të gjitha përgjegjësit e mija të bazuara në vendimin Nr.10/59 të datës 21.01.2021 të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës. Dorëheqja ime është me efekt të menjëhershëm, ju lutem të më aprovohet si e tillë”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Cukajt që e ka siguruar KALLXO.com.

Në po këtë letër, Cukaj ka shkruar se arsyet e ofrimit të dorëheqjes janë familjare dhe shëndetësore.

Kushtrim Cukaj kishte qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Integrimit Evropian në kohën kur kjo Ministri udhëhiqej nga Dhurata Hoxhaj.

Në maj të vitit 2020, Cukaj ishte shkarkuar nga Komisioni Disiplinor i Qeverisë së Kosovës për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtuese në shërbimin civil. Vendimi i detajuar i Qeverisë për shkarkimin e Cukajt shënon mungesën e mbikëqyrjes së kontratave të nënshkruara nga Ministria nën udhëheqjen e Dhurata Hoxhës si një nga shkeljet e detyrave të ish-Sekretarit të Përgjithshëm.

Në vendimin e shkarkimit të Cukajt ishte përmendur edhe nënshkrimi i kontratës “Majorelle”.

Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve

Në vitin 2019, 168 mijë euro të taksapaguesve të Kosovës i ishin dhënë një kompanie të marrëdhënieve me publikun të quajtur ‘Majorelle PR & Events’ me seli në Paris përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kontrata me ‘Majorelle’ u nënshkrua dhe u negociua në vitin 2018 nga Dhurata Hoxha, Ministre e atëhershme për Integrime Evropiane nga radhët e PDK-së në qeverinë e koalicionit PAN të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kjo kontratë u vazhdua më pas në mars të vitit 2019.

Shkarkimet e Qeverisë Kurti: Kontratat për lobim e qira që çuan në shkarkimin e sekretarit Kushtrim Cukaj

www.kallxo.com