Jep dorëheqje drejtori i Shëndetësisë në Podujevë

Komuna e Podujevës ka njoftuar se drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu ka dhënë dorëheqje.

Komuna i ka quajtur spekulime dhe të pavërteta raportimet “për shkarkimin apo dorëheqjet e zyrtarëve të tjerë” të kësaj komune.

“Duam të njoftojmë opinionin publik dhe mediat se drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu ka ofruar dorëheqjen e tij nga detyra e drejtorit. Ndërsa, lajmet tjera që po qarkullojnë në rrjete sociale për shkarkimin apo dorëheqjet e zyrtarëve të tjerë janë spekulime dhe të pavërteta”, thuhet në njoftimin e Komunës.

KALLXO.com ka raportuar se më 2 gusht është shkarkuar Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi.

Mulliqi e ka quajtur skandaloz vendimin për shkarkim ndonëse shton se ka pasur mospajtime të thella me kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi.

“Prandaj, me vendim të kryetarit  nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz”, ka thënë Mulliqi.

Ndërsa në një komunikatë për media, Komuna ka deklaruar se njëra ndër arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mos efikasiteti i punës që, siç është thënë në njoftim, “duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës”.

“Duam të sqarojmë opinionin publik lidhur me lirimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit, Besnik Mulliqi në Komunën e Podujevës, se njëra nga arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës së drejtorisë duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës”, thuhet në sqarimin e Komunës.