Jakup Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Jakup Krasniqi propozon të votohet qeveria e pakicës e Lëvizjes Vetëvendosje

Dy partitë deri dje opozitare, sot fituese të zgjedhje të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po arrijnë ujdi për bashkëqeverisje.

Të dyja patritë janë të kundërta për nga përcaktimi ideologjik por shpejt gjetën harmonizim të programit qeverisës. Ajo për të cilën nuk u pajtuan LVV e LDK janë postet.

Albin Kurti e Isa Mustafa në fazën e fundit të negociatave nuk u pajtuan se kujt duhet t’i takojë Kryekuvendari.

E nëse deri të hënën në ora 11:00 nuk ka ujdi ndërmjet dy liderëve, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe një nga liderët e partisë Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka propozuar që të votohet një qeveri e pakicës.

“Pas zgjedhjeve të tetorit është pritur që në afatin ligjor të formohej koalicioni qeverisës, por kjo nuk ndodhi, ndoshta edhe për shkak të mungesës se një vullneti politik te dy partive politike (LVV-së e LDK-së) për ta përmbyllur koalicionin. Ndoshta në një ambient të tillë politikë të mbushur me vija të kuqe, ia vlen që të provohet edhe një Qeveri e pakicës!”, ka shkruar në Facebook Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës.

“Shumica në Kosovë janë të mendimit se Kosovës i duhet një qeveri e ndryshimit dhe qeveri ndryshimi me politikat e djathta ideologjike të deritashme, nuk mund të ketë. Mbase, ndryshimi është të politikat e majta ideologjike dhe në këto zgjedhje ky ndryshim mund të gjendet te Vetëvendosja e cila në nivelin qendror nuk është provuar edhe pse në nivelin lokal deri më tani nuk kemi parë ndonjë ndryshim esencial në krahasim më partitë e tjera politike”, vlerëson numri dy i Nismës Socialdemokate.

“Votuesi në Kosovë i ka mundësuar Vetëvendosjes që të del partia e parë e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, pse qytetari i Kosovës mos ta provoj qeverisjen e Albin Kurtit?!”, thotë ish-kryeparlamentari.

Sipas tij, formati i qeverisë së pakicës të cilën e drejton Lëvizja Vetëvendosje mund të provohet për një vit.

“Nëse për një vit nuk shihet ndonjë ndryshim esencial në qeverisjen e vendit, pas një viti me mocion të mosbesimit lehtë mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Besoj që nuk do të kemi qeverisje më të keqe sesa kishim deri më tani! Konsideroj që një vit është kohë e mjaftueshme për të parë se çfarë qeverisje po i bëhet vendit. Natyrisht, në ketë rast kërkoj nga Kryeministri i Qeverisë së pakicës (nëse arrihet), që mos ta sheh të Qeverisurit si “hallvën me shumë sheqer”, për qeveritarët, por ta sheh si një sherbet të mirë për qytetarët e Kosovës!”, thuhet në mes tjerash në postimin e tij.

Jakup Krasniqi ka thënë se ky është vetëm një mendim i tij personal ndërsa ka thënë se “po të isha deputet në Kuvendin e Kosovës, vota ime do të shkonte për Qeverinë e pakicës së majtë. Bile në ketë rast u bëjë thirrje deputetëve të orientimit të majtë, nëse ka, që t’i bashkojnë votat për Qeverinë e pakicës”, ka thënë ai.