Izraeli është i gatshëm për luftë të gjatë për ta mposhtur Hamasin

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i ka kërkuar Izraelit të bëjë më shumë për t’i mbrojtur civilët palestinezë në luftën e tij me Hamasin. Dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një kërkese të propozuar të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim të menjëhershëm humanitar, Blinken i tha CNN-it se Izraeli duhet të vendosë “një premium” në mbrojtjen e civilëve të Gazës dhe të sigurohet që ndihma humanitare mund të arrijë tek ata që kanë nevojë.

Përpjekjet e ndërmjetësimit po vazhdojnë për të siguruar një armëpushim të ri në Gaza dhe për të çliruar më shumë pengje të mbajtura nga Hamasi, pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme izraelite që po “ngushtojnë dritaren” për një rezultat të suksesshëm, ka deklaruar të dielën kryeministri i Katarit.  

Izraeli ka dhënë indikacione se është i përgatitur të luftojë për muaj ose më gjatë për ta mposhtur Hamasin në Gaza. Sipas Associated Press, këshilltari i sigurisë kombëtare i Izraelit, Tzachi Hanegbi, i ka thënë televizionit Channel 12 të vendit se SHBA nuk ka vendosur asnjë afat për Izraelin për t’i arritur qëllimet e tij.  

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian të hënën po e shqyrtojnë një goditje ndaj financave të Hamasit dhe ndalimin e udhëtimit për kolonët izraelitë përgjegjës për dhunën në Bregun Perëndimor, raporton Reuters. Ministrat do ta shqyrtojnë një dokument diskutimi nga shërbimi diplomatik i BE-së që përshkruan një gamë të gjerë hapash të mundshëm të ardhshëm. Hamasi tashmë është renditur nga Bashkimi Evropian si një organizatë terroriste, që do të thotë se çdo fond ose pasuri që ka në BE duhet të ngrihet.

“Sistemi shëndetësor i Gazës është në gjunjë dhe po shembet”- ka deklaruar shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, me vetëm 14 nga 36 spitalet që funksionojnë me çdo kapacitet. Ghebreyesus ka shtuar gjithashtu se OBSH dhe partnerët e saj në Gaza arritën të dërgojnë furnizime kirurgjikale në spitalin al-Ahli të Gazës për t’i mbuluar nevojat e 1,500 njerëzve, si dhe të transferojnë 19 pacientë kritikë.

Bordi ekzekutiv i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka miratuar të dielën një rezolutë për trajtimin e përkeqësimit të situatës shëndetësore në Rripin e Gazës, duke bërë thirrje për qasje të menjëhershme dhe të papenguar humanitare, raporton Agence France-Presse./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala