Italia shpall gjendjen e jashtëzakonshme në pesë rajone veriore

Italia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në pesë rajone veriore mes thatësirës më të madhe në 70 vjet.

Gjendja e jashtëzakonshme do të zbatohet për rajonet Emilia-Romagna, Friuli Venezia Giulia, Lombardia, Piemonte dhe Veneto, tha qeveria në një deklaratë. Njoftimi rrjedh nga thatësirat në lumin Po dhe pellgjet e Alpeve lindore.

Lëvizja e miratuar nga Këshilli i Ministrave do të pasojë me 36.5 milionë euro të alokuara për ta përballuar thatësirën.

Lugina e lumit Po, e cila prodhon rreth 40% të ushqimit të vendit, duke përfshirë grurin dhe orizin, mezi ka parë ndonjë reshje shiu për rreth katër muaj.

Lumi, më i gjati i Italisë, është shtatë metra nën mesataren e zakonshme.

Këtë vit, Italia ka marrë vetëm gjysmën e reshjeve mesatare të 30 viteve të fundit, sipas organit shtetëror kërkimor CNR.

Pothuajse gjysma e bagëtive italiane në rrezik

Gjendja e jashtëzakonshme synon të japë “mjete dhe kompetenca të jashtëzakonshme” për të siguruar zbatimin e ndërhyrjeve urgjente të nevojshme për të garantuar sigurinë publike, riparimin e dëmeve në pronën publike dhe private dhe kushtet normale të jetesës së popullsisë.

Sipas sindikatës më të madhe bujqësore në vend, Coldiretti, thatësira po kërcënon edhe gjysmën e bagëtive në Luginën e Po, ku prodhohet proshuta e Parmës.

Ujërat nga lumi Po ndihmojnë në ujitjen e strehave të orizit, fushave të fermave dhe kullotave për lopët, duke përfshirë disa qumështi i të cilave përdoret për të bërë djathë të çmuar Parmigiano Reggiano.

Liqenet Maggiore dhe Garda kanë nivele më të ulëta se normalja e ujit për këtë periudhë të vitit, ndërsa më në jug ka rënë edhe niveli i lumit Tiber, i cili përshkon Romën.

Reduktohet fuqia hidroelektrike

Një pasojë tjetër e thatësirës është se prodhimi i energjisë hidroelektrike ka rënë ndjeshëm. Instalimet hidroelektrike, të vendosura në pjesën më të madhe në rajonet malore të Italisë veriore, prodhojnë gati 20% të energjisë së vendit.

Njoftimi i fundit vjen një ditë pasi të paktën shtatë njerëz vdiqën pasi një akullnajë në Alpet italiane u shemb, “pa dyshim” e lidhur me ngrohjen globale, sipas kryeministrit Mario Draghi.

Të hënën vonë, ai thirri ministrat e tij për një takim për të diskutuar një gjendje të jashtëzakonshme për rajonet e goditura keq nga thatësira.

Disa qytete dhe qyteza në veri kanë vendosur gjithashtu kufizime në përdorimin e ujit nga qytetarët.

Më shumë se njëqind komuna janë detyruar të marrin masa për ruajtjen e ujit. Verona, një qytet me një çerek milion banorë, dhe Piza së fundmi iu bashkuan atyre./Euronews

Përktheu: Nuhi Shala