Ismet Krasniqi: E prisja fitoren, hapi i parë është formimi i një Komiteti stabil

Ismet Krasniqi sot u zgjodh kryetar i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës për ciklin olimpik 2021-2024, me 53 vota.

Ai ne deklarimin e parë për media tha se e ka pritur këtë fitore pasi ka dy vite që lobon për këtë pozitë.

Krasniqi shtoi se Komitetit i duhet një qeverisje e re dhe se pret të japë kontribut ashtu si në shumë federata deri tani.

“Ky është viti i dytë që loboj për këtë punë. Unë kam parë që në Komitetin Olimpik të Kosovës duhet të punohet më shumë dhe duhet një energji e re. Duhet një qeverisje e re sepse Kosova duhet të ecë më ndryshe. Kam pasur besim të plotë që do të fitojë sepse kam punuar shumë me federata të ndryshme, të njëjtën punë do e bëj edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës, do të jem gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues me të gjithë, do t’i ndajmë përgjegjësitë dhe besoj që do arrijmë suksese”, ka thënë Krasniqi.

Tutje Krasniqi tha se hapi i parë që do marrë do jetë formimi i një Komiteti stabil dhe me punë të përbashkët, kurse për kundërkandidaten e tij Linda Shala tha se e vlerëson shumë por, sipas tij, ajo e ka filluar vonë lobimin.

“Na pret punë e madhe sepse Kosova është një shtet i ri, si hap të parë kemi formimin e një Komiteti stabil dhe të ecim përpara. Ajo që do bëj ndryshe nga kryetari i deritanishëm do jetë transparenca, mospërçarja, puna e përbashkët. Sa i përket votave të sotme, gjithmonë i kam llogaritur se disa do jenë të blinduara, i kam respektuar të gjithë kundërkandidatët, sidomos Lindën, e cila nuk është se nuk mori vota të mjaftueshme por ka filluar shumë vonë lobimin”, shtoi tutje Krasniqi.

Ismet Krasniqi ishte i nominuar nga Federata e Atletikës së Kosovës për kryetar të KOK-ut.

Krasniqi ka mposhtur Besim Hasanin, i cili deri më tani ishte Kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Besim Hasani i ka marë 41 vota, kurse Linda Shala 11 vota.

Ismet Krasniqi zgjidhet kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës