Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ismaili reagon për mosvaksinimin e qytetarëve të dielën

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka reaguar për mos vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19 gjatë ditës së sotme.

Ismaili përmes një postimi në Facebook  e ka cilësuar të tmerrshme dhe jo të organizuar mirë këtë proces.

“Për besë, e tmerrshme. Të mos arrihet organizimi i një orari me ndërrime për vaksinim, në mënyrë që ky proces të mos ndalet për asnjë ditë, është mungesë e aftësive menaxheriale dhe moskokëçarje ndaj shëndetit të qytetarëve dhe ndaj ekonomisë së vendit”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Qeveria në njërën anë i shtrëngojnë masat, e në anën tjetër pushojnë dhe sipas tij, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duhet të japë përgjegjësi.

“Përderisa Kosova është vendi i vetëm që ka vaksinuar më së paku, për shkak se ende nuk ka siguruar blerjen e vaksinave, e kur edhe ato pak vaksina donacion që kemi – nuk u jepen qytetarëve të dielave, me arsyetimin se është ditë pushimi, është e pafalshme.Për këtë dështim, Ministri Arben Vitia ose duhet të japë përgjegjësi vetë, ose duhet të kërkojë përgjegjësi nga të tjerët. Fshehja në kohë krize nuk është zgjidhje”, ka shkruar më tej ish-ministri.

Nga Qendra e Vaksinimit sot kanë bërë të ditur se në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë s’do të ketë vaksinime. Kjo për shkak që e dita e diele është ditë pushimi.

Ndërkohë që, vaksinimi kundër COVID-19 do të vazhdojë nesër, e hënë.

Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 31 raste pozitive dhe asnjë viktimë nga COVID-9.

Sot s’do të ketë vaksinim në sallën “1 Tetori”