Ismail Kadare/ Foto: AShAK

Ismail Kadare: Një dritë rrezatuese në ditët më të errëta të Shqipërisë

Ismail Kadare – i cili vdiq në moshën 88-vjeçare – përdori penën e tij si armë të çeliktë për t’i mbijetuar diktatorit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Rrëfimtaria e tij e sofistikuar – shpeshherë e krahasuar me atë të George Orwellit ose Franz Kafkës – përdorte metaforën dhe ironinë për të shpalosur natyrën e tiranisë së Hoxhës, i cili sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri më 1985.

“Kohët e errëta sjellin befasi të pakëndshme, por të bukura” – do t’i deklaronte Kadareja agjencisë franceze të lajmeve, AFP.

“Letërsia shpesh ka sjellë vepra madhështore në kohë të errëta si ilaç ndaj fatkeqësisë imponuar njerëzve” – kishte deklaruar ai.

Kadare shpesh pritej ta fitonte çmimin Nobel për krijimtarinë e tij të fortifikuar, që rrëmonte mitet dhe historinë e vendit të tij për t’i zbërthyer mekanizmat e totalitarizmit.

Romanet, esetë dhe poemat e Kadaresë janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, duke e kthyer atë në romancierin modern më të njohur të Ballkanit.

Shkrimtari i shumë veprave i prishi raportet me komunistët e Shqipërisë dhe u arratis në Paris pak muaj para se qeveria të binte në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Ai shkroi për deluzionimin e tij në veprën “Pranvera shqiptare – anatomia e tiranisë”.

Ndillte vdekjen

Lindur në Gjirokastër në jug të Shqipërisë më 28 janar 1936, Kadare ishte frymëzuar prej “Makbethit” të Shakespearet si fëmijë dhe pëlqente dramaturgun, por edhe Danten dhe Servantesin në mesin e shumë të tjerëve.

Ironikisht, diktatori Hoxha vinte nga i njëjti qytet malor.

Kadareja studioi gjuhët dhe letërsinë në Tiranë para se të vazhdonte studimet në Institutin e Letërsisë Botërore Gorky në Moskë.

Pas kthimit në Shqipëri më 1960, fillimisht bëri emër si poet para se të botonte “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” më 1963, një tregim tragjikomik që më vonë do të përkthehej në disa gjuhë të tjera.

Vepra e tij e dytë, “Përbindëshi”, flet për banorët e një qyteti që jetojnë në një gjendje të përhershme ankthi dhe paranoje pasi ndalohet një kalë i drunjtë trojan shfaqur në rrethinën e qytetit,

Vepra e tij e vitit 1977 “Dimri i madh”, megjithëse disi favorizuese ndaj regjimit, zemëroi besnikët e Hoxhës, të cilët e konsideronin pamjaftueshmërisht lavdëruese dhe kërkonin ekzekutimin e shkrimtarit “borgjez”.

Ndonëse disa shkrimtarë dhe artistë të tjerë u burgosën – madje edhe u vranë – prej qeverisë, Kadare ishte kursyer.

E veja e Hoxhës, Nexhmija, shkruante në kujtimet e saja se lideri shqiptar, i cili me krenari e mbante veten si njohës të thellë të letërsisë, e shpëtoi shkrimtarin me nam botëror disa herë me radhë.

Arkivat nga epoka e Hoxhës tregojnë se Kadareja shpesh për pak sa nuk u arrestua dhe pas poemës së tij “Pashallarët e kuq”, botuar më 1975, ishte syrgjynosur në një fshat të thellë për më shumë se një vit.

Kadare nga ana e tij mohonte çfarëdo lidhjeje speciale me diktatorin brutal.

“Kundër kujt po më mbronte Enver Hoxha mua? Kundër Enver Hoxhës?” – pyeste Kadare gjatë një interviste për AFP-në më 2016.

 “Shkrimtarët nuk kanë pse të përkulen”

Studiuesit shpesh kanë hamendësuar se mos ka qenë Kadare dashamir me Hoxhën ose autor që rrezikonte të burgosej ose të vritej.

“Të dyja janë të vërteta” – sugjeronte botuesi francez, François Maspero, i cili kishte ngritur dilemën në veprën e tij “Balkans-Transit”.

Të shkruaje krijimtari të tillë nën një qeveri në të cilën një fjalë e vetme do të mund të kthehej kundër autorit, “mbi të gjitha kërkon vendosmëri dhe guxim”, shkruante Maspero.

“Krijimtaria ime u bindej vetëm ligjeve të letërsisë, nuk i bindej asnjë ligji tjetër” – deklaronte Kadare.

Në një prej intervistave të fundit në tetor, kur qartazi  dukej shëndetlig, Kadare deklaronte për AFP-në se të shkruarit letërsi e transformoi “ferrin e komunizmit në një forcë jetike, një forcë që të ndihmonte të mbijetoje dhe të mbaje kokën lart dhe të fitoje kundrejt diktaturës”.

“Jam shumë mirënjohës për letërsinë, sepse ma jep mundësinë që tejkaloj të pamundshmen”.

Më 2005, Kadare fitoi çmimin inagurues “Man Booker International” për krijimtarinë e tij jetësore. Ai u përshkrua nga anëtari i jurisë, John Cavey, si një “shkrimtar universal në një traditë rrëfimtarie që na kthen deri te Homeri”.

Baba i dy fëmijëve, Kadare deklaronte për AFP-në se kënaqej kur shihte duke iu përmendur emri “në mesin e kandidatëve” për çmimin Nobel, edhe nëse diskutimi e “vinte në siklet”.

“Nuk jam modest, sepse… gjatë regjimit totalitar, modestia ishte thirrje për nënshtrim. Shkrimtarët nuk kanë pse t’i ulin kokat”.