Brastillav Nikoliq, ish-kryetar i Shtërpcës

Ish-kryetari i Shtërpcës paguan 50 mijë euro dorëzani për t’u liruar nga burgu, gjykata pritet të vendos sot

Gjykata Themelore në Pejë me 30 gusht 2023 ka lëshuar një urdhëresë për dorëzani për të pandehurin Bratisllav Nikoliq, ish-kryetar i komunës së Shtërpcës dhe njëri nga të akuzuarit për rastin e njohur ‘Brezovica’.

I pandehuri Nikoliq gjendet nën masën e paraburgimit që nga 21 dhjetori i vitit 2021.

Këtë masë, Nikoliq përmes avokatit mbrojtës të tij, Artan Qerkini, po mundohet ta zëvendësojë me dorëzani në shumën prej 50 mijë euro.

Avokati Qerkini ka konfirmuar për KALLXO.com se klienti e tij e ka paguar shumën prej 50 mijë euro në formë të dorëzanisë brenda afatit ligjor të përcaktuar nga gjykata, me 31 gusht 2023.

‘’Sot e presim vendimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë, pasi që klienti im e ka përmbushur detyrimin për pagesën e dorëzanisë’’ – tha për KALLXO.com, avokati Qerkini.

Kryetari i trupit gjykues, Murat Hulaj e kishte vlerësuar këtë propozim për dorëzani si të pranueshëm për gjykatën dhe sipas urdhëresës, dorëzania duhej të paguhej deri më 31 gusht 2023.

Sipas urdhëresës së siguruar nga KALLXO.com, Nikoliq, përmes avokatit mbrojtës të tij, Artan Qerkini, në seancën dëgjimore të 29 gushtit 2023 lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së paraburgimit, kishte deklaruar se është i gatshëm që të ofrojë shumën prej 50 mijë euro në formë të dorëzanisë si garanci që nuk do t’i shmanget thirrjeve të gjykatës.

Prokuroria e Ferizajt, në dhjetor të vitit 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj dymbëdhjetë (12) personave të pandehur në rastin “Brezovica 1”.

Aktakuza ishte ngritur edhe ndaj kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe 11 personave të tjerë.

Kryetar komune, drejtorë, inspektorë nga niveli lokal dhe sekretarë, inspektorë e kryeinspektor nga niveli qendror, janë pjesë e aktakuzës voluminoze të Prokurorisë së Ferizajt në rastin e njohur “Brezovica”.

Mbi 1 milion euro pretendohet të jenë marrë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

Pjesa më e madhe e këtyre parave përshkruhet të ketë përfunduar në “xhepat” e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, i cili kontrollonte secilin aplikim për leje ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, zonë e Brezovicës.

Bratisllav Nikoliq akuzohet se ka kryer nëntë vepra penale si keqpërdorimi i detyrës zyrtare, marrja e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në këtë çështje bashkë me ish-kryetarin e Shtërpcës Bratisllav Nikoliq, për veprat penale: marrja e ryshfetit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ushtrimi i ndikimit akuzohen edhe pesë persona të tjerë: Dimitrije Raiçiçeviq, Rijad Hasani, Hajrush Ajvazi, Labinot Vitija dhe Hysein Ajdini.

Të gjitha raportimet nga Kallxo.com, lidhur me rastin Brezovica mund t’i gjeni në këtë LINK.