Ish kryeministri Hoti: Deri tani kemi zero transparencë nga Qeveria për planin franko-gjerman

Ish kryeministri i Kosovës, aktualisht deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se deri më tani kemi parë zero transparencë nga Qeveria ndaj Kuvendit të Kosovës, si dhe publikut, në lidhje me planin franko-gjerman, për dialogun Kosovë – Serbi.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se debati formal për dialogun duhet të sillet në Kuven, sipas tij, për të siguruar transparencën për këtë proces dhe për të ndërtuar konsensusin politik.

“Nëse Qeveria vlerëson se ky propozim është bazë e mirë për të lëvizur më lehtë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe njohjes reciproke, do të duhej të informohej Kuvendi dhe publiku në mënyrë që të sigurohej konsensusi politik dhe shoqëror. Për më tepër, informimi i Kuvendit nuk është në diskrecion të Qeverisë, por është obligim kushtetues i Qeverisë ndaj Kuvendit pavarësisht se çfarë mendon Qeveria për këtë propozim” – ka shkruar Hoti.

Tutje, Hoti ka thënë se është e domosdoshme që debati formal mes forcave politike për dialogun, të zhvillohet në Kuvend.

“Është e domosdoshme që debati formal mes forcave politike për dialogun të zhvillohet në Kuvend. Vetëm kështu (1) sigurohet transparenca ndaj publikut, (2) përmbushet obligimi kushtetues për raportim dhe (3) ndërtohet konsensusi politik e shoqëror. Asnjëherë Kosova nuk ka pasur opozitë më mbështetëse për dialogun sesa tani. Kjo rrethanë duhet të shfrytëzohet për të lëvizur përpara” – ka shkruar ish kryeministri.