Shpallja e vendimit ndaj Shukri Aliut ne Gjykaten e Gjilanit

Ish- Komandanti i Policisë në Novobërdë sërish dënohet nga Gjykata

Shukri Aliu, ish- Komandant i Stacionit Policor në Novobërdë sërish është gjetur fajtor dhe është dënuar nën akuzat e Prokurorisë për marrje ryshfeti dhe mos lajmërim të veprave penale.

Aliu  u dënua me 6 muaj  burg me kusht dhe dënim me gjobë prej 1,500 euro.

Kujtojmë se në muajin dhjetor 2018, Aliu gjithashtu ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 6 muaj burgim me kusht dhe 1,500 euro gjobë, por këtë çështje Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim. Pas rigjykimit Aliu në dhjetor të vitit 2019, prapë ishte dënuar nga Gjykata me dënimin e njëjtë sikurse në gjykimin e parë.

Gjykata e Apelit përseri më 29 maj të këtij viti rastin e ka kthyer në rigjykim.

Sipas Prokurorisë, në muajin shtator 2017, i akuzuari Shukri Aliu, në cilësi të Komandantit të Stacionit Policor në Novobërdë në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar dhuratë (dru për ngrohje), në sasi rreth 5 metra kub, me kusht moszbulimin e veprës penale të vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani.

Shukri Aliu gjithashtu akuzohej se në muajin korrik 2017, përmes telefonit kishte komunikuar me të akuzuarin Ivan Dikiq dhe nga i njëjti kishte mësuar se pa leje posedon armë të zjarrit dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë e cila armë gjatë bastisjes është sekuestruar.

Tutje sipas aktakuzës, Aliu nga i akuzuari Ivan Dikiq kishte mësuar se i njëjti është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç edhe pse si person zyrtar mëson për këto dy vepra, të njëjtat nuk i kishte lajmëruar.

Më 6 mars 2018, ndaj të akuzuarit Ivan Dikiq, për dy vepra penale – armëmbajtje pa leje dhe importi-eksporti i armëve dhe materialeve plasëse, ishte shqiptuar dënim prej një viti burgim me kusht pasi kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Gjykimi i tretë ndaj ish komandantit të stacionit policor në Novobërdë drejt fundit