Isa Mustafa: Vjosa Osmani është ende kandidate për kryeministre

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk ka pranuar të flasë për rolin që Vjosa Osmani do ta ketë në një qeveri të ardhshme.

Ai në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë” tha se si LDK po e presin certifikimin e zgjedhjeve para se të diskutojnë për pozita.

“…Vjosa Osmani edhe tani është kandidate për kryeministre të vendit sepse… akoma KQZ nuk i ka kryer procedurat për certifikimin e rezultateve me të cilat thuhet se kjo është partia e cila doli me një deputet ose dy e para dhe kjo parti do ta ketë mandatar. Në moment që zgjidhet çështja e mandatarit. Kërkush nuk mundet me më thirrë në emër të mandatarit kur nuk është shpallë mandatar”, tha Mustafa.

Ai theksoi se takimet e nivelit të lartë brenda dy partive ku do të diskutohen çështjen politike, po ashtu, do të mbahen pas certifikimit të zgjedhjeve.

”Kur të ulemi të bisedojmë për çështjet që janë më të ndërlikuara politika siç është dialogu e ndarjes së përgjegjësive atëherë do të jetë Vjosa dhe unë se unë jam kryetar i partisë.Ekipet tona kanë diskutuar çështjen ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe të gjitha çështjet. Kanë arritur të harmonizojnë mes 80 dhe 90 për qind…Ne nuk mund të bisedojmë për koalicion derisa të bëhet certifikimi i zgjedhjeve, ne duhet t’i kemi rezultatet zyrtare.”, tha Mustafa.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, rezultatet e së cilave ende nuk janë certifikuar, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Megjithatë, takime në mes liderëve nuk kanë ndodhur dhe nuk priten të ndodhin deri në certifikim.

Përballë Jeta Xharrës, Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: