Screenshot nga aksioni i një luftanije amerikane kundër Iranit. Burimi: Komanda Qendrore e SHBA-së
Irani kërcënon me luftë “përtej rajonit” nëse SHBA-ja e sulmon
Irani ka kërcënuar të mërkurën (20.05.2026) se do ta përhapë luftën përtej Lindjes së Mesme nëse Shtetet e Bashkuara e sulmojnë përsëri pasi presidenti Donald Trump ka thënë se për pak nuk lejoi rifillimin e fushatës bombarduese, raporton Reuters.
Gjashtë javë qyshse Trump ndali operacionin “Zemërimi epik” pas ujdisë për armëpushim, vazhdojnë të konsiderohen të ngecura bisedimet për t’i dhënë fund luftës.
Irani i ka ofruar një ofertë të re SHBA-së këtë javë, por në paraqitjet publike Teherani përsërit kushtet e refuzuara më parë nga Trump, duke përfshirë kërkesat për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, kompensimin për dëmet e luftës, heqjen e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira dhe tërheqjen e trupave amerikane nga zona.
Trump ka deklaruar të hënën, dhe ka përsëritur të martën, se ishte shumë afër ta urdhëronte një fushate të re bombardimi, por e kishte shtyrë në minutën e fundit për t’i dhënë më shumë kohë diplomacisë.
“Isha një orë larg marrjes së vendimit sot”, u ka deklaruar Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën.
Irani ka kërcënuar vazhdimisht se do të hakmerret për çdo sulm të ri nga goditja e vendeve në Lindjen e Mesme që strehojnë baza amerikane. Tehernai ka sugjeruar të mërkurën se do të godiste edhe objektiva më larg.
“Nëse agresioni kundër Iranit përsëritet, lufta e premtuar rajonale do të shtrihet përtej rajonit kësaj here”, ka deklaruar Garda Revolucionare në një deklaratë të transmetuar në mediat shtetërore.
Në zhvillimet e fundit të diplomacinë, agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit ka raportuar se ministri i Brendshëm i Pakistanit ka mbërritur tashmë në Teheran. Pakistani organizoi raundin e vetëm të bisedimeve për paqe muajin e kaluar dhe ka përcjellë mesazhe ndëmrjet palëve.
Irani e ka mbyllur kryesisht Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet përveç anijeve të veta që nga fillimi i fushatës së SHBAsë dhe Izraelit në shkurt, duke shkaktuar ndërprerjen më të madhe të furnizimeve globale me energji ndonjëherë. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën muajin e kaluar me bllokadën e tyre porteve të Iranit.
Irani thotë se qëllimi i tij është të rihapë ngushticën për vendet mike që u përmbahen kushteve për ta përdorur. Kjo potencialisht mund të përfshijë tarifa për qasje, të cilat Uashingtoni thotë se do të ishin të papranueshme.
Dy tankerë gjigantë kinezë të ngarkuar me një total prej rreth 4 milionë fuçi nafte kaluan ngushticën të mërkurën. Irani kishte njoftuar javën e kaluar, ndërsa Trump ishte në Pekin për një samit, se kishte arritur marrëveshje për të lehtësuar rregullat për anijet kineze.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com