ARKIV - Ilustrim

Instituti Hidrometeorologjik njofton për reshje nga dita e sotme, tregon vendet ku mund të ketë vërshime

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se duke filluar nga pasditja e të hënës (16 janar), gjatë ditës së nesërme dhe pasnesërme (e martë e mërkurë) pritet të ketë reshje me intensitet mesatar deri në të lartë, të cilat do të jenë më të përqendruara në pjesën perëndimore dhe veriore të vendit, por gjatë ditës së nesërme ato do të përfshinë tërë vendin.

Sipas IHMK-së, Në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Prizren, Klinë, Zubin Potok etj), mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve, fillimisht atyre të vegjël me karakter të rrëkeve të cilët zbresin prej viseve më të larta malore, duke pasur potencial për shembje apo rrëshqitje të dherave.

Derisa, në zonat urbane, në këto komuna, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemeve drenuese, mirëmbajtjes dhe pastrimit të shtretërve të lumenjve dhe kanalizimeve.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, kjo situatë pritet të ndikoj në ngritjen e niveleve dhe prurjeve të lumenjve kryesorë, veçanërisht të sistemit të lumit Drini i Bardhë, sidomos degët e tij të djathta, Ibri etj.

Në njoftim theksohet se ky informacion, në varësi të situatës hidrologjike, do të përditësohet nga IHMK dhe  publiku do njoftohen për çdo ndryshim në parashikimin e rrezikut të përmbytjeve.