
Karaçevë - 18.09.2020 FOTO KALLLXO.com
I shumkërkuari i kazinove Mentor Maqani pas trajtimit në QKUK do të dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë
Mentor Maqani i dorëzuar ditë më parë para organeve te sigurisë në lidhje me veprat penale organizim i lojërave të fatit dhe kontrabandës në rastin e Karaçevës, do të dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë pas trajtimit në QKUK.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Burgjeve, Florent Gashi.
“Personi në fjalë mbrëmë është pranuar nga SHKK në Burgun e Sigurisë së Lartë, aktualisht i njëjti me rekomandim të mjekut është i shtrirë në SHSKUK”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.
Maqani pas përfundimit të trajtimit do të dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë për ta mbajtur paraburgimin, vendim ky që u mor gjatë ditës së djeshme.
I shumëkërkuari në lidhje me rastin e organizimit të lojërave të fatit në zonën e Karaçevës, Mentor Maqani është dorëzuar dy ditë më parë para organeve të rendit.
I njëjti dyshohet për organizim të lojërave të fatit. Maqani ka qenë një nga të dyshuarit në listën e personave të cilët kanë funksionuar në zonën e Karaçevës, vend ky i cili gjendet në Komunën e Kamenicës vetëm pak kilometra larg kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
Përveç Maqanit në të njëjtën ditë ishte arrestuar edhe njëri nga bashkëpronarët e njërës nga kazinotë që ka funksionuar në fshatin Karaçevë. Inicialet e të njëjtit janë Q. M.
Maqani kishte shkuar në QKUK në lidhje me disa probleme shëndetësore dhe më pas është njoftuar policia për vendndodhjen e tij.
Pasi ishte dorëzuar dhe ishte bërë kërkesa për paraburgim, seanca për masën e sigurisë ndaj Maqanit ishte bërë në QKUK.
KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për rastin e Karaçevës dhe dorëzimin e Maqanit – LINK