Ilustrim

Arrestohet bashkëpronari i një kazinoje në Karaçevë

Sot është bërë një muaji nga aksion i gjerë i cili ndodhi në fshatin Karaçevë pak kilometra larg vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë fshat, 13 objekte që ishin ndërtuar, kishin funksionuar për një kohë të gjatë si kazino.

Gjatë ditës së sotme është arrestuar një bashkëpronar i njërës nga kazinot që funksiononte në Karaçevë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe prokurorja e rastit, Rozelida Manastiri.

“Mund të ju konfirmoj se sot është arrestuar një person, në lidhje me rastin në Karaçevë. I njëjti është bashkëpronar i njërës nga kazinot të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale në Karaçevë. I arrestuari po dyshohet për veprën penale të organizimit të skemave piramidale”, tha Manastiri për KALLXO.com.

Deri më tani në dy faza të ndara në lidhje me rastin e Karaçevës janë arrestuar mbi 60 persona.

Pas një hetimi më shumë se njëvjeçar, Prokuroria e Gjilanit, Divizioni për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i cili funksionon brenda Inspektoratit Policor të Kosovës, Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, si dhe agjenci të tjera ndërmorën aksionin më 18 shtator të muajit të kaluar për të ndaluar veprimtarinë e organizimit të lojërave të fatit dhe kontrabandës në fshatin Karaçevë.

Në po të njëjtin fshat janë rrënuar edhe objektet të cilat funksiononin si kazino ndërsa janë konfiskuar dhe sekuestruar edhe një numër i madh i aparateve të lojërave të fatit, kafshë të cilat dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Kosovë si dhe materiale të tjera të cilat do të jenë pjesë provave e proceseve gjyqësore ndaj të dyshuarve të arrestuar.