Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

I kërkohet dorëheqja Josep Borrell: Evropa duhet të qëndrojë me Kosovën

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger e ka kritikuar Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për qasjen e tij ndaj Kosovës dhe i ka kërkuar atij dorëheqjen.

Përmes një postimi në Twitter, Schneeberger ka përmendur edhe rastin e rrëmbimit të policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.

“Zoti Josep Borrell, pra ju doni të sanksiononi një vend, oficerët e policisë së të cilit merren pa dëshirën e tyre nga një civil i armatosur dhe më pas rrëmbehen nga njësitë e një shteti të huaj, por të qetësoni vendin që kryen krime të tilla jashtë territorit të tij?” – ka shkruar këshilltarja lokale e BE-së.

Ajo e ka quajtur Borrellin rrezik për demokracinë dhe paqen në Evropë.

“Dorëhiquni para se të bëni më shumë dëm. Ju jeni një rrezik për demokracinë dhe paqen në Evropë. Ne kemi nevojë për njerëz të guximshëm që mbrojnë demokracinë tonë, jo forcojnë autokratët. Mirupafshim Josep” – është shprehur Schneeberger e cila ka theksuar se Evropa duhet të qëndrojë krah Kosovës.

“Evropa duhet të qëndrojë me Kosovën dhe të mbrojë demokracinë tonë”-ka përmbyllur ajo.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dyshojnë që zyrtarët e Poliicsë së Kosovës janë rrëmbyer si  hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të Millun Millenkoviq – Lune.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua dje nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.

Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e paraburgimit për Millun Millenkoviq, serbin e arrestuar dje nën dyshime për organizim të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, në Zveçan.

I arrestuari, siç ka njoftuar ministri Sveçla, është “Milun Milenkoviq- Llune, njëri nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës e bandave kriminale”.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Situata e sigurisë arriti kulimin e tensionimit të hënën më 29 maj kur protestuesit u përplasen me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Rreth 30 paqeruajtës u lënduan, ndërsa tre u plagosën nga arma e zjarrit, konfirmoi zyra për medie e këtij misioni.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Pas tensioneve në veri, SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23.