Ilustrim

I dënuari për mashtrim e falsifikim dokumentesh nga Maqedonia e Veriut arrestohet në Ferizaj

Një person i moshës 43-vjeçare, shtetas i Maqedonisë së Veriut, është arrestuar sot, më 17.03.2024, në Ferizaj.

I arrestuari rezultoi se është i kërkuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për veprat penale – mashtrimi, dhe – falsifikimi i dokumenteve, pasi ishte i dënuar me katër vjet e nëntë muaj burg.

Policia e Kosovës ka njoftuar se zyrtarët policorë të stacionit në Ferizaj në 11:50h kanë pranuar një informacion se në Ferizaj në një lokacion po qëndronte për disa ditë një person i paidentifikuar.

Policia tha se menjëherë hetuesit policorë kanë shkuar në vendin ku dyshohej se po qëndronte personi i panjohur dhe e kanë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj.

Identifikimi i të arrestuarit më pas u bë pas intervistimit nga hetuesit policorë.

Policia njoftoi se pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm janë njoftuar edhe Departamenti i Kufirit i Policisë së Republikës së Kosovës për procedura tjera hetimore për kalimin ilegal të kufirit, deri në një vendim tjetër të Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore për dorëzimin e tij autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Policia rajonale e Ferizajt falënderoi qytetarët për bashkëpunim, ndërsa inkurajoi edhe të tjerët që të bashkëpunojnë.

“Sa herë që kanë informacione për personat e kërkuar nga organet e rendit, të njoftojnë menjëherë stacionin e policisë më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406” – tha PK.

Tutje u shtua se të dhënat e çdo personi që ndan informata me Policinë do të ruhen në konfidencialitet të plotë.