I akuzuari s’vjen në gjykatë, mendon se gjykimi mund të zhvillohet pa të

Ka dështuar seanca gjyqësore ndaj Agim Shishanit, rojtar i pyllit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte se i akuzuari Shishani nuk e ka ditur se gjykimi ndaj tij nuk mund të zhvillohet pa praninë e tij.

Ai gjithashtu  ka menduar  se dëshmitarët mund të dëgjohen pa praninë e tij.

Të pranishëm ishin dëshmitarët Mehmet Gërguri, Lulzim Murati të cilët e njoftuan trupin gjykues.

‘’Agim  Shishani nuk do të marrë pjesë sot se kemi mu dëgju vetëm ne’’, tha dëshmitari Mehmet Gërguri.

Sipas aktakuzës,  Agim Shishani në cilësinë e rojtarit të pyjeve për rajonin e Fushë  Kosovës nga fillimi i muajit janar e deri në muajin gusht  të vitit 2017, nuk e ka përmbushur obligimin e tij për t’i ruajtur pyjet në Gospojë dhe Grabovc, ku ka ndodhur prerja ilegale e pyjeve në dëm të përgjithshëm prej 478, 93 metër kub drunj,  në vlerë prej 43,103.70 euro.