Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i ulur në gjykatore në cilësinë e të dëmtuarit – FOTO: Laurant Berisha – KALLXO – 08.08.2023

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i ulur në gjykatore në cilësinë e të dëmtuarit – FOTO: Laurant Berisha – KALLXO – 08.08.2023

I akuzuari se kanosi Avdullah Hotin, me lot në sy i kërkon falje publike deputetit pas përfundimit të seancës

“Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, këto janë fjalët që e sollën para gjyqit Reshat Sadikun, i akuzuar për kanosjen e deputetit të LDK-së Avdullah Hoti.

Sadiku është ulur sot në bankën e të akuzuarit për t`u ballafaquar me aktakuzën që rëndon ndaj tij.

Ngjarja, sipas njoftimit të Prokurorisë, kishte ndodhur më 15.12.2022.

Të pranishëm në sallë ishin deputeti i LDK-së Avdullah Hoti dhe tashmë i akuzuari për kanosje Reshat Sadiku. Prokuroria, e përfaqësuar nga prokurorja Fatime Cacaj, kishte njoftuar se ndaj Reshat Sadikut ishte ngritur aktakuzë për veprën penale kanosje.

Veprime për të cilat I akuzuari kishte shprehur vullnetin për marrëveshja të pranimit të fajësisë e arritur me prokurorin Arianit Salihu.

Sadiku me të përfunduar seanca gjyqësore i’u afrua Hotit duke i kërkuar falje publike, i akuzuari tha se as nuk e njeh të dëmtuarin e as nuk i ka borxh e nëse është nevoja që t`i pranohet kërkim falja të njëjtën mund ta bëjë edhe me jetë.

“Nuk jam njeri që shkoj në këso gjanash… gjunjëzohem para jush… as s`tkam njoftë as s’mki borxh kurgjo, nëse është nevoja edhe me jetë këtë e boj, s`jam i këtyre gjërave” – tha Sadiku me lot në sy.

Kurse Hoti i’u përgjigj duke i thënë që ti je i pari që më ke sjellë në gjykatë.

“Ti je i pari që m`ke pru këtu”- ishte përgjigja e Hotit.

Kur gjyqtari Driton Berisha kërkoi mendimet e palëve lidhur me marrëveshjen për pranim të fajësisë Avokatja e Sadikut tha se i kërkojnë falje publike të dëmtuarit dhe se i njëjti nuk ka nevojë të ndihet i rrezikuar.

“I propozoj Gjykatës që ta aprovoj marrëveshjen e arritur me shkrim mes Prokurorisë në lidhje me pranimin e fajësisë po ashtu i kërkojmë falje publike, zotit Avdullah Hotit meqenëse kjo ka ndodhë në afekt dhe ish-kryeministri nuk ka nevojë të nihet as i rrezikuar e as të ndihet keq…”- tha mbrojtësja e të akuzuarit, Sheholli.

Lidhur me këtë rast i dëmtuari Avdullah Hoti u deklarua se e pranon kërkim faljen e të pandehurit.

“Unë e vlerësoj qëndrimin e të pandehurit për të kërkuar falje publike dhe e vlerësoj atë sigurisht, unë nuk jam kërcënuar si person privat por si zyrtar i shtetit dhe mospajtimet që qytetarët kanë me punën tonë janë mundësitë ose kanalet zyrtare për paraqitjen e këtyre mospajtimeve”- u shpreh Hoti.

Hoti kishte edhe një kusht lidhur me marrëveshjen për pranim të fajësisë, kusht i cili sipas tij ishte që i akuzuari të bëjë një kontribut në njërën nga shoqatat bamirëse në shumën që shpreh vullnet vetë i akuzuari.

Lidhur me këtë kusht nuk u pajtua gjykata duke e aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë të arritur mes Sadikut i cili ka qenë i përfaqësuar nga mbrojtësja e tij dhe prokurorit Arianit Salihu.

Aktakuza sipas njoftimit të prokurorisë është ngritur më 24 korrik të këtij viti.

Sipas aktakuzës, kanosja ka ardhur pasi Reshat Sadiku ka komentuar në një postim të Avdullah Hotit, ku kishte dhënë një mendim politik për zhvillimet politike në vend.

Tashmë i akuzuari me qëllim të frikësimit i ka shkruar koment që lidhet me pozitën dhe punën e të dëmtuarit dhe e ka kanosur.

“Sipas aktakuzës, më 15.12.2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari Avdullah Hoti, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri i lartcekur, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri kryen veprën penale të kanosjes”- thuhej tutje në njoftimin e Prokurorisë.