Hunter Biden përballet me nëntë akuza penale në çështjen federale të taksave

Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter, po përballet me akuza të reja penale për dështimin për të paguar të paktën 1.4 milionë dollarë taksa ndërkohë që ka shpenzuar miliona për një mënyrë jetese luksoze. Sipas aktakuzës së ngritur në Gjykatën e Qarkut të Kalifornisë Qendrore, Hunter Biden akuzohet për tri vepra penale dhe gjashtë kundërvajtje lidhur me taksat.

Departamenti i Drejtësisë ka thënë se hetimi është në vazhdim, dhe nëse ai shpallet fajtor për akuzat, ai përballet me 17 vjet burg. Hunter Biden akuzohet se nuk ka paguar të paktën 1.4 milionë dollarë taksa federale nga viti 2016 deri në vitin 2019, ndërsa ka shpenzuar miliona dollarë për një mënyrë jetese ekstravagante.

Aktakuza e djeshme pretendon se Hunter Biden “bëri para të mira” ndërkohë që shërbente në bordet e një konglomerati industrial ukrainas dhe një fond kapitali privat kinez. Por me rritjen e të ardhurave të tij rriteshin edhe shpenzimet. Vetëm në vitin 2018, sipas aktakuzës, ai ka shpenzuar më shumë se 1.8 milionë dollarë, por asnjë prej tyre për pagimin e taksave.

I akuzuar se ka gënjyer për varësinë e tij kur bleu një armë

Përmendet se ndër të tjera ka shpenzuar para për drogë, hotele luksoze, vetura dhe veshje, si dhe ka ndarë më shumë se 70 mijë dollarë për rehabilitimin e varësisë. Ai është përballur më parë me akuza për evazion fiskal dhe në tetor u deklarua i pafajshëm në një gjykatë në Delaëare për një akuzë se ai gënjeu për përdorimin e tij të drogës kur bleu një armë.

Hunter Biden është temë e shpeshtë në media për shkak të varësisë dhe sjelljes së tij të tepruar si shpejtësia ose rrjedhja e fotove të tij lakuriq ose duke përdorur drogë, dhe fokusi ka qenë tek përfshirja e tij në kompaninë ukrainase të energjisë Burisma ndërkohë që babai i tij ishte nënkryetar i SHBA-së. 

Një ish-anëtar i bordit të asaj kompanie, Devon Archer, ka thënë në një seancë dëgjimore në Kongres në gusht se Hunter më pas sugjeroi “iluzionin” e qasjes në pushtet, raporton Reuters. Joe Biden ka mohuar se e ka përdorur ndonjëherë pozicionin e tij për të ndihmuar djalin e tij./Index.hr

Përgatiti: Nuhi Shala