Humbin dy persona në Shtrazhë të Kaçanikut

Dy persona kanë humbur pasi janë ndarë nga grupi i bjeshkatarëve në fshatin Shtrazhë të komunës së Kaçanikut.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

Gashi ka thënë se personat e humbur janë një vajzë dhe një djalë.

Të njëjtit kanë mbajtur kontakte deri në orët e vona me grupin por më pas ky kontakt është shkëputur.

“Rreth orës 18:00 kemi marrë informatën nga një grup i bjeshkatarëve, të cilët kanë qenë në afërsi të fshatit Shtrazhë të komunës së Kaçanikut, se dy persona nga grupi i tyre, vajzë dhe djalë, rreth orës 14:00, janë ndarë nga grupi, grupi me këta dy persona kanë qenë në kontakt deri në orët e vona, mandej e kanë humbë kontaktin, dyshohet edhe mos iu ka harxhu bateria e telefonave të personave”, ka deklaruar Gashi për KALLXO.com.

Gashi ka shtuar se me të marrë informatën menjëherë ekipet e Policisë kanë dalë në terren për kërkimin e personave të humbur.

Po ashtu, Policia ka njoftuar edhe rojtarët e Pylltarisë që janë në atë teren pasi të njëjtit e njohin më mirë atë zonë.

“Një herë nuk kemi të tjera informata lidhur me rastin”, ka përfunduar Gashi.