Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: Ambasada Amerikane

Hovenier për Asociacionin: SHBA nuk përkrah asgjë që sadopak do i ngjante Republika Srpskas

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_________________________________________________________________________________

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara te Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA ka mirëpritur takimin e fundit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me Planin franko-gjerman.

Ai në një intervistë për TV Dukagjini tha se qëndrimi i SHBA-së për Asociacionin nuk do ndryshojë.

“Departamenti i Shtetit ka mirëpritur takimin mes Kosovës dhe Serbisë dhe e përkah procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Tani do angazhohemi në implementim të marrëveshjes dhe në një aneks që do negociohet. Themelimi i Asociacionit mbetet kritik për ndërtimin e të ardhmes europiane të Kosovës’. Ky është qendrimi i Departamentit të Shtetit” – tha ai.

“Qëndrimi i SHBA-së për Asociacionin nuk do ndryshojë dhe kjo qëndron si kërkesë edhe nga shtetet e tjera të QUINT-it”- shtoi tutje ai.

Hovenier tutje potencoi se SHBA nuk po kërkon nga Kosova të bëjë ndonjë gjë në kundërshtim me Kushtetutën apo që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

“SHBA nuk po i kërkon Kosovës të bëjë ndonjë gjë që shkel Kushtetutën e saj dhe as ndonjë gjë që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuse të vitit 2015. SHBA nuk përkrah asgjë që sadopak do i ngjante Republika Srpskas. Ne po kërkojmë asociacion  që i bashkërendit më mirë funksionet qeverisëse komunale në fushat si arsimi, shëndetësia, planifikimi urban” – shtoi ambasadori.

Hovenier tutje potencoi se Kosova duhet të përmbushë zotimet që ka marrë.

“Kosova duhet të përmbushë zotimet e saj, por është po ashtu esenciale që Qeveria e Kosovës t’i adresojë shqetësimet e komunitetit serb, ata e kanë kërkuar këtë”- tha ai.

Ambasadori numëroi po ashtu disa prej pikave që, sipas tij, Kosova përfiton prej tyre, nisur nga paprekshmëria e kufijve e deri te njohja e dokumenteve.

“Pres që këto negociata nuk do jenë të lehta por, SHBA do jetë e përfshirë. Ka shumë gjëra që janë në të mirë të Kosovës me këtë marrëveshje duke nisur nga paprekshmëria e kufijve, integriteti territorial dhe sovraniteti, zotimi për njohje të dokumenteve zyrtare dhe simbolet kombëtare përfshirë, pasaportat, diplomat, targat e makinave, vulat doganore që do udhëhiqen nga parimet si respektimi i pavarësisë, autonomisë, e drejta për vetëvendosje etj.”- tha Hovenier.