Hoti takoi Apostolovan, premton se Qeveria do të punojë ngusht me BE-në

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në një takim Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Sipas një njoftimi për media. gjatë këtij takimi, Hoti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë ngushtë BE-në për ta përshpejtuar procesin e integrimit të vendit tonë në familjen e vendeve demokratike evropiane.

Tutje, Hoti foli edhe për prioritetet aktuale të Qeverisë së Kosovës, siç janë menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike e vendit.

Më këtë rast, ai tha se Qeveria e Kosovës njëkohësisht do të punojë me tërë kapacitetin e saj për forcimin e rendit dhe ligjit, për thellimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit, zbutjen e papunësisë dhe zhvillimin e tregut të lirë.

Ndërsa, Apostolova, pasi e përgëzoi Kryeministrin Hoti për detyrën e re, theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i përkrahë institucionet e Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, si dhe do t’i sigurojë Qeverisë së Kosovës mbështetje financiare për rimëkëmbjen ekonomike.

Gjithashtu, ajo vuri theksin në funksionimin e shtetit ligjor dhe demokratik, si kusht i rëndësishëm në procesin e afrimit të Kosovës drejt BE-së.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar më 3 qershor, qeverinë e re të vendit të koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Për qeverinë e re kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë.