Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti për miratimin e buxhetit 2021: Siguron zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka reaguar pas miratimit të buxhetit për vitin 2021 në Kuvendin e Kosovës.

Hoti ka thënë se miratimi i buxhetit siguron stabilitet për funksionimin e institucioneve, financim të duhur për shëndetësi për luftimin e pandemisë, përfshirë blerjen e vaksinave anti COVID-19 me 40 milionë euro.

“Buxheti siguron financim të rregullt të arsimit, drejtësisë, sigurisë dhe mbrojtjes, kulturës, rinisë dhe sportit, financimin e rregullt të skemave sociale dhe pensionale, financimin e projekteve kapitale, financimin e rregullt të buxhetit të komunave”, ka shkruar Hoti.

Kryeministri ka shkruar se buxheti gjithashtu siguron zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes për vitin 2021 si dhe sipas tij kontribuon në kultivimin e partneritet me institucionet financiare ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021. Projektligji u votua me 85 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pro Projektligjit kanë votuar edhe deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje.