Foto: ZKM

Hoti kërkon nga Kurti transparencë të plotë për dialogun Kosovë-Serbi

Ish-kryeministri i Kosovë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Avdullah Hoti ka kërkuar transparencë të plotë nga Qeveria për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se kjo transparencë përmes raportimit në Kuvend ka munguar.

Ketë reagim Hoti e ka bërë sot, teksa përfaqësuesi i Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne janë takuar sot me kryeministrin Kurti.

Deputeti ka theksuar se LDK-ja është falënderuese për interesimin e shtuar të partnerëve kryesorë të Kosovës për të përmbyllur marrëveshjen për normalizim dhe njohje reciproke mes dy vendeve.

Por, sipas tij, pavarësisht rezolutës së Kuvendit transparenca për dialogun Kosovë-Serbi përmes raportimit në Kuvend ka munguar.

“Paraprakisht duhet të sigurohet transparencë e plotë nga ana e Qeverisë përmes raportimit në Kuvend, e cila gjë ka munguar pavarësisht rezolutës së Kuvendit ku i kërkohet Kryeministrit të raportoj para dhe pas çdo rundi të dialogut”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, takimet me kryetarët e partive politike opozitare nuk e zëvendësojnë raportimin në Kuvend.

“Kryeministri duhet të jetë i hapur në raportimin në Kuvend. Ai nuk mund të evitoj transparencën karshi deputetëve përmes deklarimeve për ndjeshmërinë e dialogut”-ka shtuar Hoti.

Ai ka shtuar se transparenca në dialog duhet të sigurohet edhe karshi komunitetit akademik, shoqërisë civile dhe mediave.

Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, ka filluar takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Ky takim do të jetë i mbyllur për media.

Pas takimit me Kurtin, emisarët do të udhëtojnë në Beograd ku pritet ta takojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.