Hoti kërkon mbështetje për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në Kuvend

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka folur për fondin emergjentprej 365 milionë eurosh të ndarë nga buxheti i Kosovës ndërsa  ka bërë me dije se Ministria e Financave ka dhënë në dispozicion për këtë fond rreth 100 milionë euro shtesë.

Këto deklarata Hoti i bëri gjatë takimit që kishte me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosocvës, Berat Rukiqi si dhe Arian Zeka drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës.

“Sot i diskutuam kriteret bazike për shpërndarjen sa më parë, në javët e ardhshme, të këtij fondi, kryesisht për subvencionim të pagave, të eksporteve, për pjesën e bujqësisë dhe gjatë tetorit do të shohim edhe financimin e masave të tjera të parapara në programin për rimëkëmbjen ekonomike”, vijoi kryeministri Hoti, duke shtuar se “për ne, është vitale që t’u qëndrojmë afër bizneseve gjatë këtyre muajve të vështirë”, tha Hoti.

Hoti shtoi se është krijuar një moment komplet i ri me zhvillimet politike që kanë ndodhur dhe në veçanti me nënshkrimin e marrëveshjes në Uashington.

Hoti, apeloi që Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili është i dizajnuar për të ndihmuar bizneset, të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvend.

“Ky ligj, bashkë me Fondin për rimëkëmbje ekonomike, në total, deri në fund të këtij viti iu mundëson bizneseve dhe qytetarëve në Kosovë rreth 700 milionë euro në dispozicion, prej të cilave për një muaj e përmbyllim pjesën tonë të Fondit për rimëkëmbje ekonomike prej 365 milionë, pastaj pjesa tjetër që vjen prej Ligjit për rimëkëmbje ekonomike”, tha Hoti.

Kryeministri shtoi se është e nevojshme Qeveria, Oda Ekonomike dhe komuniteti i biznesit të punojnë bashkë, në mënyrë që të shfrytëzohet ky moment i jashtëzakonshëm që është krijuar me nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit, nga e cila janë së paku një miliard dollarë amerikan financim për projekte infrastrukturore, që janë të listuara në marrëveshje: hekurudha, autostrada, studimi i fizibilitetit për hekurudhën për Durrës dhe projekte të tjera infrastrukturore.

“Për pesë vjet, ne mund ta kthejmë Kosovën në një zonë të gjallëruar ekonomike, me mijëra vende të reja pune cilësore”, shtoi Hoti.

Gjithashtu, ai theksoi se i kishte informuar odat ekonomike për programin investues dhe të mbështetjes ekonomike të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Kosova zë vend qendror, sepse projektet janë dorëzuar në Komisionin Evropian dhe më 6 tetor pritet të bëhen publike.