Hoti ironizon me Kurtin: Nuk i gjeta kurrkund as hartat as thikat

Kryeministri Avdullah Hoti ka ironizuar me ish-kryeministrin, Albin Kurti rreth deklarimeve të këtij të fundit, se në Shtëpinë e Bardhë do të ketë ndarje të Kosovës.

Ai ka thënë se as nuk është shtruar si temë diskutimi ndarja e territorit të vendit, ndërsa tha se ShBA-të janë angazhuar përherë në fuqizimin e shtetit të Kosovës.

“Nuk i gjeta kurrkund, as hartat as thikat, po e them kështu figurativisht. Nuk kam pas asnjë dyshim, nuk është kërkuar asnjëherë që të bisedojmë për atë, as nuk është shtruar si temë. Le ta kuptoi ai (Albin Kurti), vetë se çfarë do të thotë kjo, ShBA-të, jo që nuk kanë harta e thika, por angazhohen për fuqizim të shtetit të Kosovës në arenën ndërmarrë, siç u bënë 20 minuta pas marrëveshjes”, deklaroi Avdullah Hoti në televizionin publik.

Dje gjatë ditës, në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia dhanë besimin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, që do të respektojnë 16 pika të një marrëveshje e cila ka qëllim lehtësimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vende.