Ministrja Rozeta Hajdari merr hapa drejt zëvendësimit të tarifës me reciprocitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari i ka bërë disa hapa të cilën e afrojnë heqjen e tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Ministrja Rozeta Hajdari e cila ka bërë disa hapa të cilët na sjellin edhe më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë. Rozeta tashmë ka marr vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, AVUK-u dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës”, ka thënë kryeministri.

Sipas Kurtit, ky grup do të përmbledh të gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të shkojë me rekomandim te Qeveria.

“Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojmë si të tillë”, u shpreh ai në Konventën e Prodhuesve të Kosovës.

Kurti edhe njëherë deklaroi se qeveria e tij, do ta zëvendësojë tarifën qind për qind dhe do ta zbatojnë reciprocitetin e plotë tregtar me Serbinë, sikurse me secilin shtet.

“Tarifa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar, ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve. Parimet e reciprocitetin që do të nxirren nga qeveria e Kosovës do të jenë të bazuara në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe në CEFTA”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kurti premtoi mbështetje për prodhuesit vendor.

“Nga unë si kryeministër dhe nga qeveria që unë drejtoj, ju do ta keni vëmendjen maksimale”, u tha Kurti prodhuesve kosovar.