Haziri: Nuk ka marrëveshje se kush do të jetë kryetari i LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur rreth një kandidati konsensual për kryetar të saj.

Kështu ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Në një prononcim për Klan Kosova, Haziri tha se edhe nesër do të vazhdojnë takimet lidhur me arritjen e një dakordimi për të parin e partisë.

Lutfi Haziri ka mohuar që sot të kenë vendosur që Isa Mustafa të jetë përsëri lider i kësaj partie.

”Nuk ka ende një marrëveshje e cila i vendos kapak kësaj çështjeje”, ka thënë Haziri.

Ai shtoi se ka disa emra që përmenden në garën për kryetar të LDK-së, sikur Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani, Agim Veliu, e madje edhe emri i tij.

Haziri nuk e mohoi se do të kandidojë për të parin e LDK-së por me kusht që nuk do të ketë marrëveshje rreth kandidatit.

Sot LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë në të cilët janë diskutuar kandidaturat për kryetarë të kësaj partie.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, në konferencën pas mbledhjes tha që disa kolegë në LDK kanë shprehur interesimin për postin e të parit, mirëpo nuk bëri publik emrat.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të shtunën e 3 gushtit do të mbajë kuvendin e nëntë zgjedhor, ku priten të zgjidhen strukturat e reja udhëheqëse të partisë.

Zyrtarë të këtij subjekti politik kanë bërë të ditur se kuvendi do të mbledh 355 delegatë, ndërsa kandidaturat për kryetar të partisë do të bëhen publike vetëm të shtunën e kësaj jave.

Ndërsa, Visar Berisha, djali i Kolë Berishës, ish-nënkryetarit të LDK-së, është shprehur se kjo parti do të udhëhiqet përsëri nga lideri i tanishëm, Isa Mustafa.

Djali i Kolë Berishës: Isa Mustafa përsëri do të jetë kryetar i LDK-së

.