Jeta ne Komune - Lutfi Haziri - Komuna Gjilan - Foto Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Lutfi Haziri flet për koalicionin me PDK-në, ambiciet për kryetar të LDK-së dhe zgjedhjen e presidentit

Ne debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri është deklaruar për koalicionin e mundshëm të LDK-së me PDK-në, ambieciet e tij për të parin e LDK-së dhe preferencat e tij për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

I pari i Gjilanit ka thënë se nuk është politikë e LDK-së që të ftojë PDK-në në koalicion për të udhëhequr Qeverinë.

“Jo, nuk është politikë e jona. Edhe ne kemi qenë në opozitë dhe kemi dhënë kontribut konstruktiv si opozitë. Ne me ftu nuk e kemi obligim”, është shprehur Haziri.

Më tej, Haziri ka folur edhe për ambiciet e tij për të marrë postin e të parit të LDK-së. Ai është shprehur se një ditë do t’i vijë radha edhe atij.

“Një ditë vjen rendi besoj, me u shty nuk shtyhem, jam për marrëveshje. Demokracia funksionon edhe në marrëveshje jo vetëm në vota”, ka potencuar kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së.

Ndërsa sa i përket zgjedhjes së presidentit të Kosovës pas përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit, Haziri është shprehur se preferon president konsensual.

“Unë jam për një president konsensual, mund të vijë nga partitë, mund të vijë nga jashtë partitë ndoshta kish qenë zgjidhja ma e mirë”, ka përfunduar Haziri.

 

Në debatin e sontëm Haziri do të ballafaqohet me premtimet e tij të dhëna në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

I pari i Gjilanit do të pyetet edhe për politizimin e shkollave.

Haziri do të sfidohet me mungesën e ujit të pijshëm, kutërbimin e lumenjëve nga derdhja e kanalizimit dhe deponitë ilegale.

Tek pyetjet nga ‘Zëri i Qytetarëve’, Haziri do t’i përgjigjet halleve të qytetarëve me nevoja të veçanta që nuk kanë qasje nëpër institucione lokale, mungesën e mjeteve shtesë për mbajtjen e mësimit në për shkolla, mos-asfaltimin e rrugës së Kumanovës dhe asaj “Qefsere Salihu” në lagjen Arbëria dhe po ashtu me mungesën e ujit të pijshëm në Pogragjë dhe Livoç të Epërm.

Në fund të emisionit, do të shfaqen dy shembuj pozitivë të Gjilanit, ndërtimi i pasqyrës së mençur nga studenti gjilanas Emin Emini dhe aktivizmi i banorëve të Zhegrës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e fshatit.

Përveç kryetarit Haziri, prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Riza Abdyli dhe Isa Agushi nga PDK, Nevzad Isufi dhe Anila Tusha nga Lëvizja Vetëvendosje, Avdyl Aliu nga LDK dhe përmes platformës ZOOM do të jetë aktivistja e shoqërisë civile, Arjeta Maka.