Disa anëtarë të kryesisë pretendojnë kreun e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të mbajë ‘sekret’ kandidatët për postin e të parit të kësaj partie. Sot LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë në të cilët janë diskutuar kandidaturat për kryetarë të kësaj partie.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, në konferencën pas mbledhjes tha që disa kolegë në LDK kanë shprehur interesimin për postin e të parit, mirëpo nuk bëri publik emrat.

“U diskutua edhe çështja e kandidaturave, kryesia vlerësoi lartë interesimin dhe pretendimin për të kandiduar nga disa kolegë në kryesi, me kontribute shumë të lartë në LDK në 30 vitet e fundit, kryesia si e gjithë anëtarësia e LDK-së, vlerëson se është shumë e rëndësishme për qëllime të partisë që kryesia e LDK-së të jetë një figurë përbashkuese, zgjidhje për të cilën po punohet intensivisht, sot deri më 3 gusht”, tha Mustafa.

Mustafa nuk dha përgjigje nëse do të ketë LDK-ja një kryetar konsensual, mirëpo theksoi se po punohet intensivisht për mbarëvajtjen e procesit.

“Të gjitha kandidaturat shpallen më 3 gusht komfor edhe statutit, po punohet intensivisht që të vlerësohen të gjitha kandidaturat. Po punohet që të kemi një kandidat përbashkues ose kandidatura përbashkuse” tha ai.

Tutje Mustafa tregoi dhe për përgatitjet e LDK-së, për procesin zgjedhorë të së shtunës.

“Kryesia vlerësoi se përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe se Kuvendi do tyë zhvilloj punimet në atmosferë solemne siç kemi paralajmëruar edhe më parë. Duke u mbështetur në statutin e LDK-së, dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve të këtij Kuvendi Zgjedhor, kryesia vendosi që ti propozoj Kuvendit anëtarët e Komisionit Statutar, verifikues, kandidues, komisionit zgjedhor si dhe Kryesisë së Punës” tha tutje ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të shtunën e 3 gushtit do të mbajë kuvendin e nëntë zgjedhor, ku priten të zgjedhen strukturat e reja udhëheqëse të partisë.

Zyrtarë të këtij subjekti politik kanë bërë të ditur se kuvendi do të mbledh 355 delegatë, ndërsa kandidaturat për kryetar të partisë do të bëhen publike vetëm të shtunën e kësaj jave.

Në mediat vendore tashmë janë përmendur disa emra potencial për ta marr drejtimin e LDK-së, si  kryetari aktual Isa Mustafa, Agim Veliu, Vjosa Osmani apo Lutfi Haziri, si dhe të tjerë zyrtarë, që haptazi kanë shprehur dëshirën për ta udhëhequr partinë, siç është ish-kryetari i këtij subjekti politik, Fatmir Sejdiu.