Djali i Kolë Berishës: Isa Mustafa përsëri do të jetë kryetar i LDK-së

Visar Berisha, djali i Kolë Berishës, ish-nënkryetarit të LDK-së, është shprehur se kjo parti do të udhëhiqet përsëri nga lideri i tanishëm, Isa Mustafa.

Berisha përmes një postimi në Facebook tha se Mustafës sot i është kërkuar nga një pjesë e LDK-së që të mbetet ai kryetar.

“As marrëveshja e për pasojë as dakordësia për të pjesëtuar pushtet nuk zgjedh kryetar. Atë e zgjedhë vetëm bindja e lirë e së cilës ndërgjegje. Kërkush nuk mundet me vendos atë liri në kornizën e pak duarve. Sot i është kërkuar z. Mustafës nga pjesa dërmuese e lidershipit të LDK-së që ai të mbetet kryetar. Nesër do jene përfaqësuesit e degëve që siç po shihet do t’ia kërkojnë të njëjtën gjë. Kaq”, ka shkruar Berisha.

Sot LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë në të cilët janë diskutuar kandidaturat për kryetarë të kësaj partie.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, në konferencën pas mbledhjes tha që disa kolegë në LDK kanë shprehur interesimin për postin e të parit, mirëpo nuk bëri publik emrat.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të shtunën e 3 gushtit do të mbajë kuvendin e nëntë zgjedhor, ku priten të zgjedhen strukturat e reja udhëheqëse të partisë.

Zyrtarë të këtij subjekti politik kanë bërë të ditur se kuvendi do të mbledh 355 delegatë, ndërsa kandidaturat për kryetar të partisë do të bëhen publike vetëm të shtunën e kësaj jave.

Në mediat vendore tashmë janë përmendur disa emra potencial për ta marr drejtimin e LDK-së, si  kryetari aktual Isa Mustafa, Agim Veliu, Vjosa Osmani apo Lutfi Haziri, si dhe të tjerë zyrtarë, që haptazi kanë shprehur dëshirën për ta udhëhequr partinë, siç është ish-kryetari i këtij subjekti politik, Fatmir Sejdiu.