Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haziri: Kriza në veriun e Kosovës, e shtata e prodhuar në mandatin e Kurtit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, nënkryetari i ILDK-së ka fajësuar kreun e Qeverisë së Kosovës duke thënë se kriza e tanishme në veri të vendit është kriza e shtatë e prodhuar në mandatin e Kurtit.

“Kjo krizë në Veriun e Kosovës është e shtata e prodhuar në mandatin e z.Kurti. Kriza e fundit e cila eskaloi me protesta e dhunë, që burim e ka Beogradin, shkaktoi reagim të ashpër të partnerëve ndërkombëtarë ndaj Qeverisë, sepse z.Kurti po vazhdon me veprime të befasishme”- ka thënë Haziri.

Sipas tij, ky tensionim i situatës “ka ardhur si pasojë e moskoordinimit me partnerët ndërkombëtarë dhe tejkalimit të axhendës së dakorduar me partnerët e Kosovës në kuadër të dialogut.”

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar  vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Katër kryetar shqiptar u zgjedhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdorë edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.

Tashmë në këto komuna të Kosovës ruajtjen e rendit po e bëjnë edhe trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR-i.

Mirëpo, javën e kaluar ka pasur edhe përleshje mes protestuesve dhe trupave të KFOR-it ku dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar as sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve ku këta të fundit janë penguar gjatë raportimit dhe po ashtu disa vetura të mediave janë dëmtuar, djegur e demoluar.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?