Haxhiu: Nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave

Gati tetë orë pas djegies të dy zyrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar për rastin.

Ajo njoftoi se nga vlerësimet fillestare është konfirmuar se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave.

Siç ka thënë Haxhiu, rreth orës 08:00 të mëngjesit nga drejtori i këtij Instituti, Ditor Haliti, është njoftuar se dy zyra në katin e dytë në objektin e IML janë përfshirë nga zjarri.

Ajo tha se ekipet e zjarrfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendim e ngjarjes.

Ministrja po ashtu tha se ekipet e forenzikës dhe ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit.

“Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre. Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë” – tha Haxhiu.

E njëjta shtoi se sapo të kenë informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojnë me kohë.

Sipas një njoftimi zyrtar, Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve në vendin e ngjarjes.

“Nga të gjetjet e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së” – ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.

Ajo tha se Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.

KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes. Aty zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra ka thënë se informatën për këtë zjarr e kanë marrë rreth orës 07:56 dhe menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë lokalizuar zjarrin.

Ai tha se sipas informacioneve që posedon deri më tani, e përfshirë nga zjarri është një zyrë e cila ka qenë e ndarë në dy pjesë.

“Rreth orës 07:56 minuta Brigada e Zjarrfikësve ka pranu një lajm që objekti i IML-së është përfshi nga zjarri dhe menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes kanë intervenu. Për një kohë të shkurt kanë fut zjarrin në kontroll, tash puna është duke vazhdu deri në përfundimin e zjarrit. Sipas informatave, të lënduar nuk ka, dëme materiale ka, është e përfshirë një zyrë e cila ka qenë e ndarë në dysh”- ka thënë ai.

“Sa kemi informata është zyra e drejtorit” – tha tutje zëvendëskomandanti i brigadës.

Shkodra ka shtuar se deri me tani ende nuk është bërë vlerësimi i dëmit nga ky zjarr.

Zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, digjen dy zyra – VIDEO