Mytaher Haskuka. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haskuka reagon pas debatit “Jeta në Komunë”: Kam premtuar katër çerdhe në komunën e Prizrenit dhe katër do t’i realizoj

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka reaguar ndaj lajmeve të publikuara në media pas serisë së debateve “Jeta në Komunë” ku ishte i ftuar Haskuka.

Ai në një reagim në Facebook ka dhënë sqarime se pse ende nuk është funksionalizuar asnjë çerdhe publike në qytetin e Prizrenit.

Sipas Haskukës, katër çerdhet publike do të përfundojnë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Haskuka më tej ka treguar lokacionet e katër çerdheve, të cilat, që të gjitha do të ndërtohen në zonën urbane të qytetit.

Lagjet “11 Marsi”, “Bajram Curri”, “Dardania” dhe “Ortakoll” do të jenë lokalitetet ku do të ndërtohen çerdhet.

Reagimi i plotë i Haskukës:

Gazetaria e klikimeve zakonisht bazohet në “tituj bombastik”, ku në tituj bëhet linçimi, e pastaj brenda tekstit vjen informata e plotë, mirëpo shumë pak persona e lexojnë tekstin, andaj titulli negativ zakonisht e bën funksionin e saj.

Kështu ndodhi edhe pas programit televiziv “Jeta në Komunë”, nga e cila u plasuan shumë tituj bombastik e linçues, pjesërisht edhe nga fakti që nuk më është dhënë hapësira e duhur kohore për t’u përgjigjur në pyetjet që m’u drejtuan.

Së pari lidhur me çerdhet, unë kam premtuar katër çerdhe në komunën e Prizrenit dhe katër do t’i realizoj.

Çerdhja e parë, që është dashur të bëhet publike, ishte çerdhja e vjetër e Prizrenit, të cilën pushteti i kaluar e kishte dhënë në shfrytëzim të një organizate, me kushtin që ajo të paguajë 500 euro në vit për qira, të bëjë investime në renovimin e objektit në vlerë prej 500,000 euro, që të pranohen 20 fëmijë pa pagesë çdo vit dhe që objekti të mos përdoret për parashkollorë, por vetëm si çerdhe.

Kjo kontratë nuk ishte respektuar nga ana e kësaj organizate, pra për 10 vite nuk ishte paguar qiraja, nuk ishte bërë fare investim në këtë objekt (e për 500,000 euro as që mund të flitet), nuk ishin pranuar 20 fëmijë pa pagesë dhe objekti ishte përdorur edhe për parashkollorë.

Në bazë të raportit të komisionit dhe duke u bazuar në kontratë, unë e shkëputa kontratën me këtë organizatë, ashtu që ta kthej atë në çerdhe publike. Por ditën e ekzekutimit, policia në vend se t’i ndihmojë inspektorët në ekzekutimin e vendimit, ata arrestuan inspektorët, e në ndërkohë ditën e shtunë doli vendimi për masë të përkohshme nga gjykata, që e ndalte kthimin e objektit në çerdhe publike. Madje, unë më pas u thirra në biseda në hetuesi si i dyshuar dhe ende sot e kësaj dite nuk e kam të qartë se pse isha i dyshuar, ngase dëshiroj ta liroj një objekt të uzurpuar të komunës?

Ne kemi të drejtë të anulojmë kontratën dhe të kthejmë objektin në çerdhe publike, por tash e tre vite ende nuk mbahet seanca gjyqësore dhe palës tjetër iu mundësohet që ta mbajë objektin publik për interesa private.

Çerdhja e dytë në lagjen “11 Marsi” ka përfunduar dhe tanimë pas kontraktikmit të stafit do ta fillojë punën. Ndërtimi i saj, sipas kontratës është paraparë të kryhet për 36 muaj, kurse ne e kemi përfunduar për 24 muaj. Kjo është çerdhja më e madhe publike në Kosovë, me rreth 2000 metra katrorë.

Çerdhja e tretë në lagjen “Bajram Curri” është në ndërtim, por sipas kontratës do të përfundojë për 36 muaj, pra në fund të vitit të ardhshëm.

Çerdhja e katërt në lagjen “Dardania” do të fillojë sivjet dhe do të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm.

Pasi që na u pamundësua që objektin tonë komunal të kthejmë në çerdhe publike, ne planifikojmë ndërtimin edhe të një çerdheje të re në lagjen “Ortakoll”, por kjo nuk do të mund të përfundojë gjatë mandatit.

Me këto unë do t’i realizoj premtimet e mia për katër çerdhe gjatë mandatit!

I premtoi 4 çerdhe publike, Haskuka tregon pse asnjë s’ka filluar punën

https://video.gjirafa.com/jeta-ne-komune-mytaher-haskuka-perballe-jeta-xharres