Mytaher Haskuka- QMF - Lubizhde

I premtoi 4 çerdhe publike, Haskuka tregon pse asnjë s'ka filluar punën

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet komunale, Mytaher Haskuka, tashmë kryetar i Prizrenit, kishte premtuar ndërtimin e katër çerdheve publike.

Haskuka kishte premtuar se këtë premtim do ta realizonte duke ndërtuar një çerdhe në vit. Por, edhe pse tashmë është në përfundimin e vitit të tretë të qeverisjes asnjë çerdhe publike nuk e ka qyteti i Prizrenit.

Haskuka i ftuar në serinë e debateve “Jeta në Komunë” ka thënë se tashmë kanë përfunduar procedurat e çerdhes së parë, për ndërtim dhe rekrutim të stafit dhe ajo do të funksionalizohet në ditët në vazhdim.

Tutje ai ka treguar edhe për planet për ndërtimin dhe funksionalizimin e çerdheve të tjera, të cilat ka thënë se do të përfundojnë deri në fund të vitit të ardhëm.

“Ne jemi duke investuar në çerdhe, një është e përfunduar tani dhe do të fillojë punën e saj. Është dashur të fillojë këtyre ditëve, konkurset janë përfunduar, është përzgjedhur stafi, çerdhja është më e madhja në Kosovë. Sipas kontratës që e kemi pasur me kompaninë është dashur 38 muaj për përfundimin e punëve dhe ne e kemi përfunduar për 24 muaj. Ne e kemi edhe një çerdhe publike e cila është në shfrytëzim të një OJQ-je, një tjetër është duke u ndërtuar, një tjetër do të fillojë tash që është më e vogël. Deri në fund të vitit të ardhshëm do të përfundojnë”, ka thënë Haskuka.

Të ftuar në studio janë janë: Sherife Balaj- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Haziz Hodaj – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Mimoza Bushrani – Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Baldedaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Valon Xhabali- EC MA NDRYSHE, ndërsa në  ZOOM janë  Esen Kajmakçi – Përfaqësuese e grave në shoqatën e bizneseve ESNAF dhe Dafina Alishani, Lëvizja Vetëvendosje.