Hashim Thaçi e mandaton Albin Kurtin për kryeministër

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se e ka dërguar zyrtarisht propozimin për mandatar për kryeministër nga Vetëvendosja, Albin Kurtin, në Kuvendin e Kosovës.

“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në ‘Facebook’.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka shkruar se ky hap është shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe sot fillon rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë.

Mëngjesin e sotëm Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për mandatar të qeverisë së re Albin Kurtin.

Përmes një letre, sekretarja e përgjithshme e VV-së iu ka drejtuar Presidentit Thaçi në të cilën e propozon Kurtin për mandatar për formimin e qeverisë.

Nga sot, edhe zyrtarisht ka nisur afati prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit të ri sipas Kushtetutës së Kosovës.

Vetëvendosje e propozon Albin Kurtin për mandatar të Qeverisë