Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj në gjykatë si dëshmitarë - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Nuk ka pasur as presione, as shantazhe, as kushtëzime për themelimin e Zonës Ekonomike të Malishevës

Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj kanë dëshmuar në gjykimin e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe shtatë personave të tjerë, të akuzuar në lidhje me projektin për krijimin e Zonës Ekonomike të Malishevës.

Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaçi po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj akuzohet për shpëlarje të parave.

Haradinaj dhe Limaj janë thirrur për të dëshmuar me kërkesë të Ymer Huruglicës, avokat i ish-ministrit Bajram Hasani.

Ramush Haradinaj, i cili në kohën e nismës për krijimin e Zonës Ekonomike të Malishevës ka qenë kryeministër, tha se propozimi për krijimin e kësaj zone me interes të veçantë në Malishevë ishte kthyer për plotësim, ndërsa herën e dytë kishte kaluar në Qeverinë e tij.

“Për Zonën në fjalë e di që ka ardhë në shqyrtim. Me sa e di unë, herën e parë nuk është aprovuar dhe ka ardhur në rishqyrtim dhe është aprovu dhe kemi marrë vendim si Qeveri” – tha Haradinaj.

Ndërsa për aprovimin e kërkesës për themelimin e kësaj zone, dëshmitari Haradinaj theksoi se kërkesa e kishte kaluar standardin e kërkuar ligjor për votim kolektiv nga kabineti i Qeverisë në atë kohë.

I pyetur nga prokurori i çështjes, Naim Abazi, se çka ndërmerr Qeveria në rastet kur një zonë shpallet si zonë me interes ekonomik të veçantë, dëshmitari Haradinaj tha se Qeveria duhet të ketë plan veprimi për implementim në atë zonë.

Haradinaj theksoi se këto zona janë parakusht për investime në secilin lokacion brenda vendit dhe se kjo kërkesë herën e parë nuk ishte kthyer për shkak të çështjes së kostos.

Po ashtu, ai theksoi se nuk ka pasur presione politike nga partneri i koalicionit në Qeveri – Nisma për Kosovën që të aprovohet kërkesa e tillë për themelim të kësaj zone pasi që, sipas tij, po të kishte kushtëzime do ta prishte koalicionin.

“Presione (politike) jo i nderuar prokuror. Integriteti im edhe personal, edhe autoriteti im por edhe një ego që e kam nuk e kish pranu një praktikë të tillë. Një herë më ka ndodhë kjo me Listën Serbe kur e kemi votu ushtrinë, kanë lobu me i shty ligjet edhe i kemi nda rrugët, edhe dikur kam dhënë edhe dorëheqje. E vendimet i kam bërë duke u bazuar në integritet të bindjes, nuk kam pasur as shantazh, as kushtëzim, as diçka të ngjashëm, përndryshe do ta kisha prishë Qeverinë edhe atëherë” – shtoi Ramush Haradinaj.

Ndërsa, Fatmir Limaj gjatë dëshmisë së tij tha se vendimi për themelim të kësaj zone ka qenë edhe me propozimet e agjencisë së specializuar KIESA në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe se i kishte kaluar të gjitha kriteret e përcaktuara për t’u themeluar si zonë ekonomike.

Fatmir Limaj ka qenë zëvendëskryeministër në atë kohë.

Ndërsa, i pyetur nga prokurori Naim Abazi, dëshmitari Limaj tha se shkarkimi nga pozita e ministrit i tani të akuzuarit Bajram Hasani nuk kishte të bënte me propozimin për themelimin e kësaj zone dhe se programi në atë kohë ishte që të bëhen ndërrime të ministrave.

Lidhur me këtë pyetje kishte kundërshtim nga mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Ymer Huruglica, që të mos pyetet për dëshmitë që ka dhënë klienti i tij në prokurori pasi që nuk lejohet.

Prokurori Abazi e pyeti dëshmitarin Limaj lidhur me deklaratën në Prokurori që kishte dhënë tani i akuzuari Bajram Hasani: “Kam pasë presion nga Fatmir Limaj sepse kjo çështje nuk po kalon në Qeveri”.

Trupi gjykues mori aktvendim dhe lejoi parashtrimin e kësaj pyetjeje nga prokurori Abazi.

Dëshmitari Limaj lidhur më këtë tha se ndryshimi në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka qenë për shkak të pakënaqësive ose moskryerjen e punëve nga ana e ish-ministrit Hasani. “Nuk është bërë ndryshimi për pakënaqësi ose moskryerjen e punës së tij, kanë qenë ndryshime normale gjatë politikës” – tha ai.

Tutje, dëshmitari Limaj theksoi se ndërtimi dhe shpronësimet për themelimin e kësaj Zone do të arrinin vlerën 10 milionë eurove.

Sipas Limajt, vendimi për mosthemelimin e kësaj Zone është ‘puro politik’ dhe se në pozitën e të akuzuarve duhet të jenë personat që kanë ndaluar themelimin e kësaj zone dhe jo individët që janë prezentë në akuzë.

Qeveria Kurti 1 e kishte anuluar vendimin e Qeverisë paraprake për themelimin e Zonës Ekonomike të Malishevës.

Pos Begajt, për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë të akuzuar Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaçi.

Ata po akuzohen për rastin e Zonës Ekonomike të Malishevës, konkretisht se kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begajt, Hajdin Berishës, Bashkim Krasniqit, Malë Krasniqit, Bajram Hasanit, Faton Thaçit, dhe Ahmet Rrahmanajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë, prokuroria pretendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga Prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferojë me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.

Shkrime të tjera në lidhje me këtë rast mund t’i gjeni në këtë – LINK