Haradinaj: Kurti duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli

Pas takimit që përfundoi pa rezultate në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kurti duhet të dorëhiqet.

“Situata e krijuar pas dështimit të djeshëm në Bruksel, me tendencë të thellimit të krizës, me pasoja të rënda për popullin e Kosovës, kërkojnë reflektim urgjent nga Kurti dhe qeveria e tij. Ai duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas Haradinajt, në demokraci përgjigjja më e mirë janë zgjedhjet.

“Këtë veprim duhet ta bëjë edhe nëse ai mendon se është në rrugë të drejtë. Ai obligohet ta pyes popullin se çka mendon për veprimet e tij” – ka shtuar Haradinaj.

Më tej ai ka thënë se në rast të mungesës së reflektimit të Kurtit, mbetet përgjegjësi e të tjerëve, të bashkohen e të veprojnë urgjent për ta dërguar vendin në zgjedhje, duke e shkarkuar Kurtin përmes mocionit të mosbesimit.

“Është koha ta pyesim popullin se si të dalim nga kjo gjendje e rrezikshme” – ka përfunduar Haradinaj.

Pas rreth katër muajve, më 14 shtator, në Bruksel janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fillimisht janë takuar në takime të ndara me përfaqësuesit e BE-së e më pas kan vazhduar me takimn trepalësh.

Ky takim përfundoi pa rezultate. Lajmin për këtë i pari e dha për media, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas tij foli shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, i cili tha se takimi është mbyllur pa progres. Borrell deklaroi se kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm të fillojë me hapa konkret për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e ka pranuar një kushtëzim nga pala serbe, që kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe më pas zbatimin e marrëveshjeve tjera.

Mirëpo, Kurti tha se një kushtëzim i tillë është pranuar nga emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak që siç u shpreh kryeministri “ e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues”.