Haradinaj: Barrikadat interes i Putinit, KFOR-it nuk mund t’i vendosen afate

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se situata në veri të Kosovës po bëhet gjithnjë e më serioze.

Në një konference për media ai u shpreh se platforma nxitëse e Vuçiqit po i kalon vijat e kuqe.

“Situata në veri të Kosovës po bëhet gjithnjë e më serioze, platforma nxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri po i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht t`i heq njerëzit e tij nga veriu dhe fillojë heqjen e barrikadave e t`i kthehet tryezës së bisedimeve”- deklaroi Haradinaj.

Sipas të parit të AAK-së, logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshje për njohje të ndërsjellë është kapitull i mbyllur që nga viti 1999.

Ai pati kritika edhe për kryeministrin Kurti duke dhënë se muajt e fundit ka bërë veprime e deklarime të pamatura.

“As Kurti dhe njerëzit e tij nuk janë duke vepruar drejt, veprimet dhe deklarimet e pamatura, specifikisht në këta tre muaj vetëm sa e kanë bërë situatën më të rëndë”- shtoi ai.

Ai shtoi se KFOR nuk është palë, andaj nuk mund t’i vendosen afate.

“Misioni i paqeruajtës i NATO-së në Kosovë nuk është palë, nuk mund t’i vendosen kurrfarë afatesh apo kushtesh. Kryeministri duhet të heq dorë nga retorika kushtëzuese e kundërshtuese ndaj aleateve tanë”- shtoi Haradinaj.

Haradinaj po ashtu kërkoi nga serbët e Kosovës që mos të bien pre e kalkulimeve politike.

“Kam një kërkesë edhe për serbët e Kosovës, të mos bien pre e kalkulimeve politike, mos të bëhen dëm kolateral. E ardhmja e tyre është në Kosovë, prandaj të largohen nga barrikadat. Barrikadat janë vetëm interes i Putinit, jo i serbëve apo shqiptarëve”- shtoi tutje ai.