Hapja e udhëkryqit në Komoran, MIT i reagon Komunës së Drenasit

Hapja e udhëkryqit në Komoran ka nxitur reagimin e Komunës së Drenasit, e cila në një njoftim ka pohuar se nuk ka dorë në hapjen e udhëkryqit.

Komuna e Drenasit, lidhur me deklarimet për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit, ndjen për obligim të sqaroj qytetarët dhe opinionin e gjerë, se veprimet e disa individëve që dëshirojnë të përfitojnë politikisht, përveç që janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, të njëjtat janë edhe dashakeqe dhe paraqesin rrezik për sigurinë në komunikacion”, thuhej në sqarimin e Komunës së Drenasit.

Mirëpo kjo ka bërë që të reagojë Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, e cila ka thënë se hapja e udhëkryqit ka ardhur pas kërkesave të banorëve.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti ata të Drenasit se vendimi për hapjen e ish – udhëkryqit të Komoranit ka ardhur pas kërkesës së vazhdueshme të banorëve dhe bizneseve vendase”, thuhet në reagimin e MIT.

 Reagim i plotë i MIT ndaj deklarimit të komunës së Drenasit

Prishtinë, 3 tetor 2019

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti ata të Drenasit se vendimi për hapjen e ish – udhëkryqit të Komoranit ka ardhur pas kërkesës së vazhdueshme të banorëve dhe bizneseve vendase.

MIT si gjithnjë ndjek të gjitha procedurat e parapara me ligj, njëjtë sikur rastin në fjalë. Drejtoria e Menaxhimit të Rrugëve dhe Komisioni për vendosjen e rrethrrotullimeve kanë dhënë rekomandimin për vendosjen e një rrethrrotullimi në këtë zonë. Para vendosjes së atij të përhershmi, kompania projektuese e kontraktuar nga MIT, po planifikon vendosjen e një rrethrrotulimi të përkohshëm, përmes së cilit do të testohet ndikimi që do të ketë ky ndryshim në komunikacion.

I rikujtojmë komunës së Drenasit, se sipas Ligjit për Rrugët, MIT është përgjegjëse për rrugët publike nacionale, rajonale dhe autoudhët. Prandaj i bëjmë thirrje udhëheqësisë lokale që mos të shkaktojë panik me shpifje tek qytetarët e saj, për përfitime personale në këtë moment.

Ju rikujtojmë që dy vitet e fundit komuna e Drenasit, ashtu si edhe të gjitha të tjerat në mbarë Kosovën, janë përfituese të ndihmës së madhe të MIT edhe në projekte lokale, karshi atyre të karakterit rajonal dhe nacional.