Foto: Unioni i Shqiptarëve - Republika e Kroacisë

Hapet Shtëpia e Kulturës Shqiptare në Osijek të Kroacisë

Të shtunën, më 05.04.2025, u bë hapja solemne e Shtëpisë së Kulturës në Osijek të Kroacisë, dedikuar pasurimit dhe promovimit të kulturës dhe artit shqiptar.

Ky projekt erdhi si rezultat i bashkëpunimit mes Unionit të shqiptarëve dhe Shoqatës së Shqiptarëve të Prefekturës së Osijekut dhe Baranjës, që synon të jetë pikë për zhvillimin kulturor.

“Shtëpia e Kulturës ofron mundësi të pasura për të gjithë ata që duan të shprehin kreativitetin e tyre dhe të përjetojnë pasurinë e artit dhe traditave shqiptare. Shpresojmë shumë që kjo shtëpi e kulturës të jetë e mbushur me aktivitete të ndryshme nga ekspozitat, shfaqjet teatrore, koncertet muzikore e ngjarje edukative, Qendra e Kulturës do të jetë një vend ku qytetarët mund të krijojnë, të mësojnë dhe të bashkëpunojnë”- thuhet në faqen Unioni i Shqiptarëve – Republika e Kroacisë më 06.04.2025.

Sipas këtij njoftimi, të pranishëm ishin personalitete të shumta si zëvendëskryebashkiaku i Osijekut, Dragan Vuljin, ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Milaim Fetai, shoqata e bashkësi shqiptare dhe këshille shqiptare nga e gjithë Kroacia, qytetarë, veteranë të luftës, ansambli i fëmijëve nga qyteti i Mitrovicës, i dërguari i kryetarit të qytetit të Mitrovicës e bashkatdhetarë që jetojnë e veprojnë në Kroaci.

Derisa, Shoqata Kulturore Shqiptare “Shkëndija” me kryetaren Gentiana Lleshdedaj patën një performancë me këngë e valle shqipe.