Një market në Kroaci, Foto: Vuk Tesija/BIRN

Kroatët bojkotojnë dyqanet për një ditë për shkak rritjes së çmimeve

Një bojkot njëditor i mbajtur në shenjë proteste kundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve la shumë dyqane, qendra tregtare dhe pika karburanti bosh të premten (24.01.2025), megjithëse disa ekonomistë paralajmërojnë se veprime të tilla nuk kanë shumë ndikim.

Shumë qendra tregtare, dyqane dhe pika karburanti ishin kryesisht bosh në Kroaci të premten pasi një numër i konsiderueshëm njerëzish iu bashkuan një bojkoti njëditor të mbajtur në shenjë proteste kundër rritjeve të mprehta të çmimeve.

Nisma filloi në grupin në Facebook “Përshëndetje, Inspektor”, i cili mbështetet nga Qendra Evropiane për Ekselencën e Konsumatorit, ECIP, dhe që atëherë është mbështetur nga shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve, sindikatat, partitë politike dhe madje edhe ministri i ekonomisë, Ante Susnjar.

“Ne jemi të mërzitur në punë, trafiku është vërtet i ngadaltë dhe nuk kemi çfarë të bëjmë”- tha për BIRN një arkëtar në një qendër tregtare Interspar në qytetin e Osijekut.

Nisma nisi me mesazhe të shpërndara në rrjetet sociale.

“Më 24.01.2025, në Kroaci ka bojkot kundër çmimeve të larta të ushqimeve. Njerëzve u kërkohet të mos blejnë asgjë atë ditë. Sigurohuni që të blini për atë ditë sikur të ishte e diel”- thuhet në mesazhe.

Në tre vitet e fundit, çmimet e ushqimeve janë rritur deri në 34 %. Çmimet e disa produkteve bazë janë pothuajse dyfishuar.

Sindikata e Pavarur, NHS, mbështeti thirrjen për bojkot të dyqaneve.

“Niveli i çmimeve dhe niveli i të ardhurave janë dy anët e së njëjtës medalje që përcakton standardin e jetesës në vend”- tha NHS.

Shefi i sindikatave, Kresimir Sever tha se bojkoti ishte e vetmja armë e vërtetë në luftën kundër çmimeve të larta, siç konfirmohet nga përvojat gjetkë, si në Itali, ku konsumatorët protestuan për çmimet e makaronave dhe kafesë, në Turqi për produktet e bukës dhe në Britania mbi karburantin.

Por analisti ekonomik, Damir Novotny tha për agjencinë e lajmeve Hina se as konsumatorët e organizuar dhe as qeveria nuk mund të ndikojnë në inflacionin e çmimeve në këtë mënyrë.

“Konsumatorët mund të jenë në gjendje të organizohen për një ditë dhe të bojkotojnë shitësit me pakicë. Megjithatë, në ekonomitë e orientuara nga tregu, veprimet kolektive të konsumatorëve nuk kanë pasur asnjë ndikim në inflacion”- tha Novotny.

Prefekti i Qarkut Krapina-Zagorje, Zeljko Kolar, nga Partia Social Demokrate, SDP e opozitës, tha të premten se ai e mbështeti bojkotin por se inflacioni është përgjegjësi e qeverisë, e cila nuk mund t’ia kalojë fajin shitësve me pakicë.

“Ngrihet pyetja nëse një prodhues makaronash [në Kroaci] mund të jetë konkurrues me një prodhues makaronash në Itali kur TVSH-ja e makaronave në Itali është 2 për qind dhe në Kroaci është 25 %. Kush e merr pastaj pjesën më të madhe të byrekut?”- pyeti Kolar.

Të dhënat e Administratës Tatimore për numrin e faturave të lëshuara të premten (24.01.2025) do të tregojnë se sa i suksesshëm ishte bojkoti.

Në dhjetor, çmimet e konsumit ishin 4.5 % më të larta se i njëjti muaj i vitit 2023. Kroacia ishte ndër tre vendet e BE-së me inflacionin më të lartë, pas Rumanisë (5.5 %) dhe Hungarisë (4.8 %)./BalkanInsight.

Përktheu: Arjana Berisha