Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hapet ekspozita me fotografi nga Konferenca e Rambujesë

Dhjetëra fotografi nga Konferenca e Rambujesë të realizuara nga fotografi Asllan Krasniqi janë ekspozuar sot në Hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Këto fotografi të pa ekspozuara më parë, prezantojnë prapaskenat e kësaj konference.

E titulluar “Kujtesa e Kosovës: Rambouillet”, kjo ekspozitë prezanton pamje të delegacionit të Kosovës, por dhe të huajt në Rambuje dhe në Paris gjatë kohës sa mbahej konferencë më 1999 në Francë.

Autori i ekspozitës Asllan Krasniqi, ka thënë në hapeje të ekspozitës se këto fotografi i ka ruajtur për t’i ekspozuar enkas për një rast të veçantë, sikurse festa e pavarësisë.

“Këto janë fotografi i që i kam ruajtur me xhelozi për të ekspozuar këtu në një ngjarje të tillë, të veçantë pasi edhe fotografitë janë të për një ngjarje të veçantë”, ka thënë Krasniqi.

Engelber Zefaj, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se fotot e realizuara nga Krasniqi dëshmojnë për një ngjarje që na mundësoi të jemi këtu ku jemi.

“Fotografitë e tij flasin shumë dhe arrijnë ta shpjegojnë se çfarë ndodhi ato ditë në Rambuje”, ka thënë Zefaj, gjatë hapjes së ekspozitës.

Fazli Gajraku drejtori i Bibliotekës Kombëtare (BK), “Pjetër Bogdani”, ka thënë se Krasniqi ka fotografuar ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kosovës.

“Fotografitë e kësaj ekspozite, dokumentojnë detaje nga Konferenca e Rambujesë”, ka thënë ai

Regjisori Dibran Fyelli, tha se fotografitë e ekspozuara i paraprijnë asaj se çfarë do të festojmë nesër.

“Asllani është autor i mbi 1 milion fotografive, kjo ekspozitë përmban vetëm një pjesë të e atyre fotografive të cilat dokumentojnë ngjarjet më me rëndësi të Kosovës”, ka thënë Fyelli.

Ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Rambouillet” do të qëndrojë për një jave e hapur në hollin e BK-së, “Pjetër Bogdani”.

Ekspozita mbahet në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 13-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.