Në Fushë Kosovë hapet galeria që rrëfen eksodin e 99-ës (VIDEO)

Fotografi Asllan Krasniqi ka hapur në banesën e tij në Fushë Kosovë, galerinë “Eksodi ‘99” me 99 fotografi nga eksodi i viti 1999-të.

Galeria gjendet në rrugën “Enver Maloku” ku është banesa e tij, në katin e katërt.

Krasniqi thotë se ishte i detyruar t’i ekspozonte fotografitë e tij, në banesë pasi nuk kishe vend tjetër.

Këto fotografi kanë rëndësi historike, shton ai, dhe ato duhet të shihen nga publiku.

“Nuk pata mundësi ta bëjë tjetër kund. Nuk pat ndonjë ndihmë që të hapet një galeri e unë nuk mund ta përballoj hapjen e një galerie diku në Prishtinë, se ajo do të ishte më së miri. Por, vendosa për këtu dhe këtu do të jenë deri në kohën kur eventualisht vendoset të hapet diku tjetër”, thotë ai.

Ekspozita mund të shihet nga publiku, por vetëm me termine, për shkak të rrethanave dhe situatës me pandeminë.

Në tri dhomat e banesës – galerisë së Krasniqit, janë ekspozuar 99 fotografi që pasqyrojnë eksodin e vitit 99-të, të bëra nga ai në kampet e ndryshme, në Belgjikë, Turqi, Maqedoni e Shqipëri.

“Për momentin janë të ekspozuara fotografitë e kampeve që i quajnë ‘Eksodi 99’. Për të simbolizuar vitin 99, janë 99 fotografi të kampeve të ndryshme. Kam filluar me kampin në Belgjikë (Morlawelz), pastaj kam vazhduar në Turqi (Kirklareli) më pas në Shqipëri në Kukës. Pastaj kam vazhduar me radhë në Bllacë, Stankovec, Shkup, Çegran e Tetovë, jam kthye në Shqipëri, në Kavajë, Tiranë, e kështu me radhë”, shton Krasniqi.

Secila fotografi e varur në murin e galerisë së Krasniqit, tregon një histori të veçantë.

Që nga e para deri tek e fundit, fotografitë tregojnë për tmerret, vuajtjet, dhimbjet, por dhe shpresën e refugjatëve kosovarë.

“Këtu në këto dy fotografi duken të plagosurit, i kam gjetur në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Edhe ky ishte plagosur. Kjo lartë e ka plumbin në dorë, pasi ia kanë nxjerrë. Këtu janë dy fotografi të porsaardhurve, p.sh. në mbrëmje nuk kishte asgjë këtu. Në një natë kanë ardhur 28 mijë, sipas regjistrimeve në kufi (Morinë-Shqipëri), kurse këto tregojë se jeta vazhdon. Ky mban bukën, ky gjellën, këta gatuajë, këta presin në rresht për të marrë ushqimin”, shpjegon Krasniqi disa nga fotot e ekspozuara.

Ai tregon se jo pak herë, kaplohej nga emocionet duke dëgjuar rrëfimet e refugjatëve.

Gjendja emocionale e këtyre njerëzve ishte e rëndë.

Krasniqi tregon për momente mjaft prekëse gjatë vizitave që kishe bërë në kampet në Bllacë, Stankovec, Kukës e gjetiu.

“Kurse ky poshtë vetëm qante e thoshte se ia kanë vrarë tre djemtë. Këtë se harroj”, shton ai.

Objektivit të Krasniqit nuk i shpëtojnë as momentet e kthimit të refugjatëve pas mbarimit të luftës, rivarrimet e të vrarëve por edhe shkatërrimet që kishin lënë serbët pasi u larguan nga Kosova.

Ai nuk la pa fotografuar edhe disa grafite në Gjilan në të cilat falënderohen ata që ndihmuan në çlirimin e Kosovës.

Krasniqi është i ftuar që ekspozitën “Eksodi 99” ta ekspozojë në Bllacë me 10 prill dhe Kukës me 16 prill, por realizimi i tyre do të varet nga donatorët.

Galeria dhe ekspozita do të jenë pronë e Fondacionit “Eksodi ‘99”.

Fondi fotografik i këtij Fondacioni numëron mbi 1 milion foto të realizuara nga Krasniqi, qysh në vitet e ‘60-ta të shekullit të kaluar.